Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca nuk i siguroi votat e nevojshme për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.
Konjufca ishte figura e dytë e LVV-së, pas liderit të partisë, Albin Kurtit, që nuk i siguroi votat e nevojshme. Sipas Kushtetutës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Më herët gjtë ditës, LVV-ja thirri një tjetër seancë për miratim të katër projektligjeve të rëndësishme për vendin – përfshirë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare – por vota të mjaftueshme nuk pati.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha i mbylli diskutimet, por e la të hapur seancën, duke iu kërkuar deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, që të reflektojnë edhe të votojnë më vonë për to.
Partitë ish-opozitare i bojkotuan diskutimet dhe e fajësuan LVV-në për humbjen potenciale të miliona eurove nga fondet e huaja.
Kosova është me Qeveri në detyrë, në mungesë të një ekzekutivi të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.








