Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend ka folur edhe për “Paqen Fiskale”. Rama tha se ky projektligj do të rrisë më tej bashkimin mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore dhe do të lehtësojë kostot administrative të sipërmarrjeve.
Kreu i qeverisë tha se falja e detyrime tatimore do të bëhet në katër forma. Me “Paqen Fiskale”, Rama tha se bizneset do të ketë mundësi të korrigjojnë deklarimet dhe pasqyrat e mëparshme financiare.
“U fol këtu për një falje të madhe, është e vërtetë, është një falje e madhe që përmes
“Paqes Fiskale” do t’i bëhet të gjithë sipërmarrjes, duke i dhënë mundësinë që të mbyllë të gjitha çështjet e vjetra, duke ushqyer më tepër besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes sipërmarrjes e administratës tatimore dhe duke e lehtësuar marrëdhënien mes tyre, e duke lehtësuar edhe kostot administrative të sipërmarrjeve. Prandaj i ftoj të gjitha sipërmarrjet, të lexojnë me kujdes paketën tonë fiskale dhe t’i referohen faljes së detyrime tatimore që do të bëhet në katër forma;
Fshirje e plotë e detyrimeve të papaguara më të vjetra se 10 vite,
Fshirje 50% e detyrimeve të periudhës 5-10 vite, nëse pjesa e mbetur paguhet menjëherë, me fshirje totale të gjobave dhe të interesave.
Fshirje 25% e detyrimeve të periudhës 5-10 vite, nëse pjesa e mbetur paguhet me këste brenda vitit, gjithashtu me fshirje të gjobave dhe interesave.
Dhe fshirja e gjobave ka marrë vonesa për periudhën 1-5 vite, me kusht që të paguhet i plotë tatimi dhe kontributi i asaj periudhe.
Kështu, bizneset jo vetëm do të kenë mundësi të lehtësohen nga kjo barrë e vjetër, por do të ketë mundësi të korrigjojnë deklarimet dhe pasqyrat e mëparshme financiare. Për diferencën e korrigjuar vullnetarisht mes deklarimit të vjetër dhe atij të riut, tatimi i fitimit do të jetë vetëm 5%. Sipërmarrja mund të angazhohet të rrisë me 18% fitimin e tatueshëm krahasuar me vitin e kaluar dhe çdo fitim mbi këtë nivel do të tatohet me vetëm 5%.
Kjo është një marrëveshje e re, një marrëveshje kuptimplotë dhe një marrëveshje transparente në funksion të fuqizimit të ekonomisë dhe pa diskutim, edhe në funksion të lehtësimit të kompanive e të rritjes së mëtejshme të ekonomisë”, tha Rama.








