Gazeta amerikane Uashington Post ka shkruar për vendimin e gjykatës së posaçme kundër zëvendëskryeministres Belinda Balluku. ”Prokurorët e posaçëm kanë ndjekur disa nga figurat më të fuqishme të vendit, përfshirë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e akuzuar këtë muaj për ndihmën në manipulimin e një tenderi prej miliona eurosh për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Balluku mohon akuzat dhe vazhdon detyrën”.
Gazeta nuk lë pa përmendur as ish-presidentin Ilir Meta dhe Sali Berisha. “Në maj, prokurorët e SPAK-ut akuzuan Ilir Metën, ish-president dhe ish-kryeministër, për korrupsion, pastrim parash dhe evazion fiskal, në marrëveshje që përfshinin një vilë luksoze dhe bileta për Beyoncé-n. Meta mohon akuzat dhe e quajti arrestimin e tij një ‘rrëmbim’ nga një ‘regjim diktatorial’.
Ndërkohë, Sali Berisha, 81 vjeç, ish-kryeministër dhe ish-lider i PD-së, u vu fillimisht në arrest shtëpie dhe më pas u akuzua në shtator 2024 për ‘korrupsion pasiv’, për ndihmën e supozuar ndaj dhëndrit të tij në privatizimin e tokave të sekuestruara gjatë komunizmit. Edhe ai i mohon akuzat dhe i quan ato të motivuara politikisht”.








