Nënshkrimi i dekretit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës u bë pasi udhëheqësit politikë nuk arritën asnjë marrëveshje që deputetët të provojnë të votojnë të enjten (20.11.2025) disa marrëveshje me rëndësi për vendin.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Zgjedhjet e reja më 28 dhjetor
Data e gjedhjeve u shpall Presidentja e Kosovës pas konsultimeve dhe një konsensusi të përbashkët me partitë politike. Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, partia më e madhe e deritashme opozitare, Bedri Hamza, pati kërkuar gjatë takimit me presidenten Osmani që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor të këtij viti, pasi argumentoi se vendi “ka nevojë që sa më shpejt të ketë institucione”. Hamza tha, se data tjetër e përmendur në takim për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme ishte 28 dhjetori, që tashmë u konfirmua nga presidentja.
Kosova vazhdon të jetë me qeveri në detyrë prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Vendi tani shkon në zgjedhje të reja duke mos arritur këtë vit të miratojë marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 200 milionë euro, si dhe pa miratuar buxhetin e vitit të ardhshëm./DW








