Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hyrë në fazën përgatitore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Në kuadër të organizimit të procesit, institucioni ka përcaktuar edhe afatet që partitë politike duhet të respektojnë për deklarimin e koalicioneve.
Sipas njoftimit, subjektet politike që synojnë të garojnë së bashku në koalicion kanë në dispozicion periudhën nga 24 deri më 30 nëntor 2025 për të zyrtarizuar marrëveshjet e tyre.
Data e zgjedhjeve u shpall nga presidentja Vjosa Osmani, pas konsultimeve me partitë parlamentare. Ndërsa disa prej partive opozitare shprehën preferencën për një datë më të afërt, 28 dhjetori përputhet me qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aleatëve të saj politikë.
Ky është procesi i dytë zgjedhor brenda këtij viti, pasi votimet e 9 shkurtit nuk prodhuan një qeveri funksionale. Vetëvendosje, megjithëse forca e parë, nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare në dy përpjekjet për formimin e kabinetit qeverisës, duke sjellë bllokim institucional dhe nevojën për zgjedhje të reja.









