Nëse merr mundimin të ndjekësh këto ditë mediat e shumta proqeveritare, do të hasesh me një mori titujsh alarmistë, të cilët e paralajmërojnë lexuesin se aktualisht, në lojë nuk është thjeshtë fati individual i ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, apo fati individual apo politik i kryeministrit Edi Rama, por në lojë është drejtpërsëdrejti liria e gjithësecilit prej nesh. Në një koment të tillë, një avokat, pasi u shpreh i bindur për pafajësinë e znj. Balluku, shpalli fundin e demokracisë shqiptare dhe fillimin e asaj që përshkruhet si “republika e prokurorëve.” Ndërsa në një media tjetër, lexuesi paralajmërohet për rrezikun fatal që kryeministri të sëmuret, dhe që vendi të mbetet pa kryeministër, në kushtet kur zv/kryeministrja është pezulluar nga gjykata ndërsa situata është as më pak e as më shumë një “krizë institucionale”, një “krizë kushtetuese” e tmerre të tilla të ngjashme. Madje është përmendur për të përshkruar këtë situatë edhe togfjalëshi “grusht shteti”.
Termi “republikë prokurorësh” është përdorur në Itali vite më parë për t’u ankuar se pse politikanët po përballen me drejtësinë dhe duhet të japin llogari para saj, në një kohë kur edhe Italia në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si edhe Shqipëria sot, kishte skenë politike të korruptuar, me lidhje të shumëfishta mes politikës dhe krimit, gjë që u godit përmes proceseve të njohura si “mani pulite”, në të cilat, gjashtë ish-kryeministra, më shumë se pesëqind deputetë e ish-deputetë dhe mijëra zyrtarë të niveleve të tjera u vunë nën hetim. Procesi solli, si efekt anësor, shkatërrimin e disa partive politike apo detyrimin për transformim tërësor të tyre si dhe një valë politikanësh në ekzil.
Situata, natyrisht që në shkallë më të vogël, duket e ngjashme në Shqipërinë e sotme. Pas dekadash në të cilat klientelizmi politik ishte faktori vendimtar në fitimin e zgjedhjeve, dhe aftësia për të vjedhur më shumë e më shpejt ishte përcaktues në suksesin elektoral, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përbërë nga Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ia ka dalë, brenda më pak se pesë viteve, të dënojë një ish-ministër, të dërgojë për gjykim dy ish-kryeministra, të përcjellë në arrati një ish-zëvendëskryeministër dhe të ngrejë akuza ndaj zëvendëskryeministres aktuale Belinda Balluku, zyrtari më i lartë deri më sot që përballet me drejtësinë, ndërsa është në detyrë.
Dokumentet e rrjedhura në media, konkretisht vendimi i gjykatës që caktoi masën e sigurisë, duket se konfirmon atë që shumë e kanë marrë me mend që më herët. Jo se më herët na mungonte informacioni për të kuptuar se prokurimet publike janë false, se fituesit janë të paracaktuar dhe se zyrtarët politikë, ata të cilët teorikisht nuk mbahen dot përgjegjës për shkeljet në prokurimet publike sepse nuk kanë rol ligjor në prokurime, janë në fakt gjysmëperënditë e plotfuqishme që caktojnë kush fiton dhe kush humbet, kush bëhet i pasur e kush mbetet i varfër, por provat e mbledhura nga prokurorët dhe oficerët e SPAK duket se ekspozojnë natyrën sistemike të problemit.
Zyrtarisht Belinda Balluku është marrë e pandehur për manipulimin e dy tenderëve, për të cilët prokurorët kanë prova, bindëse jo vetëm për ne, por edhe për gjykatën që vleftësoi masën e sigurisë; por të dhënat e paraqitura sugjerojnë se edhe tenderët e tjerë janë gjithashtu të manipuluar, me fitues të paracaktuar dhe me zyrtarë të cilët, në komunikimet private, nuk kursejnë sarkazmën për të thënë se po flitet për tenderë të hapur ndërkombëtarë. Natyrisht që nuk mund të presësh që prokurorët të zbulojnë prova për secilin nga tenderët e manipuluar dhe ligjërisht këto tenderët e tjerë për lotet e panumërta, të projektit të unazës apo të projekteve të tjera, nuk janë të manipuluara. Por ne si qytetarë duhet të jemi qorra nëse nuk e vëmë re se hija e manipulimit është në secilin prej tyre.
Balluku, e cila nga posti i ministres nuk organizon tenderë, sepse posti i ministres është ai që vendos se ku do të investohen paratë e taksapaguesve, ndërsa prokurimet janë punë teknicienësh jopartiakë e jopolitikë, rezulton që jo vetëm përcakton fituesit, por edhe ajo që përcakton humbësit. Pronarët e kompanive të ndërtimit të rrugëve duket se negociojnë kriteret me zyrtarët që kryejnë prokurimet, ndërsa në një komunikim, Balluku urdhëron drejtorin e rrugëve të mos japë asnjë kontratë “në Republikën e Shqipërisë”, për një kompani të padëshiruar, sepse sipas informacionit që ajo disponon, një deputet i opozitës në atë kohë është përfitues potencial i kompanisë që në letra është nën pronësinë e tjetërkujt.
Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë zë zakonisht pjesën e luanit në fondin e investimeve publike. Për shembull, sipas ligjit të buxhetit të vitit 2026, fondi i përgjithshëm i investimeve publike me burime të brendshme është 126 miliardë lekë, ndërsa pjesa e menaxhuar nga Ministria e Infrastrukturës është 56 miliardë lekë ose 44% të totalit.
Përgjatë dekadës së fundit, janë në rendin e disa miliardë eurove shumat e prokururara në ndërtime rrugësh me çmime pabesueshmërisht të larta, ndërkohë që rrugët realisht të përfunduara janë shumë pak dhe cilësia e atyre të përfunduara është për të ardhur keq.
Shenjat që korrupsioni është i gjithëpërhapur në sektorin e ndërtimit të rrugëve janë në fakt, të hershme. Në vitin 2008, ish-ministri i Infrastrukturës Lulzim Basha shpëtoi nga përndjekja penale pasi Gjykata e Lartë, e cila në atë kohë kishte përgjegjësinë për të gjykuar zyrtarët me imunitet, anëtarët e së cilës zgjidheshin në një masë të konsiderueshme politikisht nga parlamenti, rrëzoi hetimin për shkaqe procedurale. Ndërsa në vitin 2015, Autoriteti i Konkurrencës, identifikoi një rast flagrant të manipulimit të tenderëve për lotet 1,2 dhe 3 të Unazës së Madhe, segmentet nga TEG për te Bregu i Lumit të Tiranës, manipulim i njohur në literaturë si “tender me rotacion”. Sipas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, një duzinë me kompani ndërtimi u ndanë në tre konsorciume dhe secila fitoi një prej loteve dhe hodhi ofertë humbëse për dy lotet e tjera. Autoriteti i Konkurrencës vëren në vendimin e vet se gjithsesi, hetimi i saj nuk arriti të gjejë marrëveshje të fshehtë mes operatorëve sepse manipulimet e mundshme dukej se ishin kryer nga vetë autoriteti kontraktor. […nuk gjenden elementë të cilët vërtetojnë marrëveshjen ndërmjet kompanive fituese dhe konkurruese, por është sjellja e Autoritetit Konktraktor ajo që e ka bërë procesin dyshues për manipulime të mundshme të procedurave të prokurimit…] shkruhet në vendim.
Tenderi për lotin 4, për të cilën Balluku është marrë e pandehur e dyshuar për veprën penale “Shkelje e barazisë në tenderë” në bashkëpunim, është hapur njëkohësisht me tenderët për lotet pesë, gjashtë e shtatë, ndërsa pjesëmarrësit në proces dukshëm tregojnë sjellje kaotike njësoj si në rastet e tenderëve të mëparshëm për lotet 1,2, e 3. Në këto tenderë që i përkasin vitit 2021, disa kompani nuk hedhin ofertë, disa të tjera skualifikohen për mosplotësim të kritereve ndërsa kompania e shpallur fituese, sipas konkluzioneve të prokurorëve, duhej të ishte skualifikuar gjithashtu për të njëjtat arsye të skualifikimit të pjesëmarrësve me oferta më të ulëta. Me pak fjalë, kriteret janë false. Vendimmarrja është arbitrare. Zyrtarët përcaktojnë fituesit ndërsa shqyrtojnë imtësisht kriteret e paplotësuara të konkurrentit që duhet të skualifikohet dhe dështojnë të shohin kriteret e paplotësuara të konkurrentit. Nëse do të sigurohesh që një kontratë fitohet nga një kompani e caktuar, vendos një kriter për të cilin je i informuar se asnjë kompani tjetër nuk mund ta sigurojë brenda afatit të shkurtër nga shpallja e njoftimit deri te mbyllja e tenderit. Është i njohur në këtë drejtim kriteri i pasjes së një vinçi me fuqi 300 tonë, pavarësisht nëse në punimet në fjalë nevojitet apo jo një pajisje e tillë.
Natyra masive e manipulimit të prokurimeve publike me vlerë dhjetëra miliona euro sugjeron nga njëra anë se puna e SPAK nuk përfundon këtu, se është shumë e arsyeshme që të gjitha kompanitë përfituese të shkeljeve ligjore të Ballukut e të të tjerëve të vihen nën hetim të ndjekjes së zinxhirit të parasë, për të identifikuar transferimet potencialisht korruptive nga bilancet e këtyre kompanive te persona të tjerë.
Hetimet në të shkuarën nuk kanë munguar, fjala vjen, tenderi me rotacion i loteve 1,2 dhe 3 të Unazës u hetua pa konkluzion nga Prokuroria e Tiranës.
Ajo që duket se ka ndryshuar aktualisht me SPAK është gatishmëria e prokurorëve dhe hetuesve dhe gjyqtarëve për të mos mbyllur sytë përballë provave që janë ulëritëse.
Në çdo rast, nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për ndonjë komplot imagjinar nga prokurorët dhe gjyqtarët kundër “demokracisë” së vendit. Puna e prokurorëve kontrollohet nga gjykata, puna e së cilës kontrollohet nga një gjykatë më e lartë. Problemet e Belinda Ballukut apo kujtdo tjetër me drejtësinë janë probleme individuale dhe nuk bartin as më së largu, rrezikun për katastrofë kushtetuese.
Gjatë zgjedhjeve të fundit, frika mes qytetarëve ishte ajo që vërehej anekënd Shqipërisë. Frika nga pushteti që i lë qytetarët në paqartësi ligjore dhe që përdor inspektoratet dhe punësimet e pushimet nga puna në diskrecion politik si mjete shantazhi, ndërsa pronarë kompanish kontraktuese shtetërore nga u shfaqën si agjentë elektoralë.
Nëse duhet të shqetësohemi, duhet të shqetësohemi për “republikën e prokurimeve”, atë që ushqen sistemin klientelist korruptiv dhe që ka vrarë sakaq demokracinë si sistemi ku ballafaqohen ide se çfarë mund të bëhet më mirë përmes qeverisjes, me sistemin ku manipuluesi më i madh i prokurimeve publike ka më shumë para në dispozicion për të blerë vota dhe më shumë pushtet për të shantazhuar votuesit dhe rrjedhimisht siguron fitore më të mëdha elektorale se sa konkurrenti i tij i cili, mund të jetë gjithashtu i korruptuar, por jo njësoj i aftë me fituesin.









