Qarku i Shkodrës u përball gjatë natës me reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, por deri më tani nuk raportohet asnjë problem i madh në infrastrukturë apo banesa.
Në Bashkinë Shkodër, administratorët e njësive raportojnë se moti ka qenë intensiv, por nuk ka shkaktuar dëme.
Po ashtu, edhe në Malësi e Madhe reshjet e shiut dhe era nuk kanë krijuar situata emergjente.
Bashkitë Vau Dejës dhe Pukë kanë pasur reshje të vazhdueshme dhe erëra të forta, por qarkullimi dhe aktivitetet ditore vazhdojnë normalisht.
Ndërsa në Fushë-Arrëz, disa ndërprerje të energjisë elektrike janë regjistruar në zonat rurale për shkak të motit të keq, dhe disa rrugë rurale mbeten me ujë dhe gurë.
Drejtoria Rajonale e Rrugëve Shkodër konfirmon se rrugët kryesore janë të hapura dhe qarkullimi automobilistik nuk është ndaluar.
Strukturat lokale mbeten në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme në rast të përkeqësimit të motit.









