“Legalizim i praktikës ekzistuese”.
Kështu i shohin bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë ndryshimet në nenin e Ligjit për Ushtrinë e Serbisë, të cilat thonë se në të ardhmen shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë do të komandojë ushtrinë “në përputhje me vendimet e presidentit të Serbisë”.
“Tani ai do të ketë një lidhje më të fortë, pra ndikim të drejtpërdrejtë të presidentit në vendimmarrjen e shefit të Shtabit të Përgjithshëm”, tha për Radion Evropa e Lirë, Predrag Petroviq nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCSP).
Ai shtoi se kjo në thelb nuk e ndryshon shumë gjendjen, sepse “për një kohë të gjatë” në Serbi “në mënyrë joformale ekziston një sistem i tillë i qeverisjes”.
“Një sistem të tillë e kanë futur në funksion Partia Progresive Serbe dhe presidenti i republikës [Aleksandar Vuçiq] jo vetëm me ushtrinë, por edhe me policinë dhe shërbimet e sigurisë, dhe tani ai formalizohet edhe në këtë rast”, vlerësoi ai.
Aleksandar Vuçiq, i cili nga viti 2012 udhëheq Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe shërben mandatin e dytë si president i shtetit.
Njëjtë mendon edhe analisti ushtarak Aleksandar Radiq. Ai tha se ndryshimet e përmendura ligjore “kanë një peshë të caktuar”, por nuk sjellin “asgjë radikalisht të re”.
“Sepse ne tashmë kemi një komandë të lartë ushtarake që gjithsesi do të vepronte sipas vendimeve të presidentit, qoftë kjo e shkruar në ligj apo jo. Ata kohët e fundit kanë vepruar në përputhje me vendimet e tij”, vlerësoi Radiq.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, presidenti i shtetit emëron, promovon dhe shkarkon oficerët e Ushtrisë së Serbisë.
“Komanda e lartë ushtarake përbëhet nga njerëz me grada të larta. Kjo do të thotë se emri i çdo personi që bën pjesë në komandën e lartë ushtarake duhet të ketë kaluar përmes analizës së presidentit të republikës. Nga këta njerëz pritet që të veprojnë me besnikëri, qoftë kjo e shkruar në ligj apo jo”, theksoi Radiq.
Njëkohësisht, përfaqësues të pushtetit në Serbi thanë se bëhet fjalë për kritika dashakeqe, duke siguruar se ndryshimet e propozuara ligjore nuk rrisin kompetencat e presidentit mbi ushtrinë.
“Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se kompetencat e presidentit të Republikës së Serbisë në vendimmarrjen mbi përdorimin e Ushtrisë së Serbisë dhe komandimin e saj në kohë paqeje dhe lufte, që nga viti 2006 [kur u miratua Kushtetuta e Serbisë], as me këtë propozim nuk janë ndryshuar apo zgjeruar në asnjë mënyrë”, tha ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, më 24 nëntor.
Si ka qenë deri më tani?
Deri më tani, në nenin 19, i cili është subjekt i ndryshimeve, shkruhet se Ushtrinë e Serbisë e komandojnë shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantët e lartë në përputhje me ligjin dhe aktet e komandimit në bazë të gradave.
Ligji i ri thotë: “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë komandon ushtrinë në përputhje me ligjin, vendimet e presidentit të Republikës së Serbisë dhe aktet e komandimit”.
Edhe pse ligji dhe Kushtetuta serbe deri më tani kanë parashikuar që presidenti i shtetit komandon ushtrinë, Predrag Petroviq shpjegoi se ekzistojnë nivele të ndryshme komandimi.
“Niveli i komandimit të presidentit të republikës nuk është i njëjtë me atë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, nga i cili pritet komandimi operacional që lidhet me punën dhe funksionimin e ushtrisë. Presidenti nuk ka ekspertizën për të bërë një gjë të tillë”, tha Petroviq.
“Për ta shpjeguar më thjesht, presidenti i republikës është, për shembull, kompetent për të vendosur bazat e zhvillimit të Ushtrisë së Serbisë, ndërsa se çfarë konkretisht do të përfshijë ai zhvillim është puna e profesionistëve – shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe njerëzve që kanë ekspertizën për këtë”, shtoi ai.
Petroviq tha se beson që qëllimi kryesor i ndryshimeve në Ligjin për ushtrinë është “futja e disiplinës më të fortë dhe besnikërisë ndaj presidentit të shtetit, në mënyrë që ai të mund të përdorë sa më shpejt dhe në mënyrë vendimtare të gjitha aktorët e sigurisë sipas vullnetit të tij”.
Ai shpjegoi po ashtu se një praktikë e tillë nuk është e zakonshme për demokracitë parlamentare.
“Askund nuk është e zakonshme që presidenti i republikës të ndërhyjë në punën operative të ushtrisë, sepse kjo është thjesht një çështje profesionale, nuk është çështje politike”, theksoi ai.
Çfarë thotë pushteti në Serbi?
Në arsyetimin e ndryshimeve të propozuara, nuk sqarohet se si do të ndryshojë zinxhiri i komandimit, vetëm thuhet, ndër të tjera, se qëllimi i miratimit të këtij ligji është “sigurimi i funksionimit efikas të Ushtrisë së Serbisë”.
Për pyetjet e REL-it për këtë çështje, nuk ka dhënë përgjigje as Ministria e Mbrojtjes, as Qeveria e Serbisë, as Zyra e presidentit të Serbisë.
Duke arsyetuar ligjin e propozuar në seancën e Komitetit parlamentar për Mbrojtjen dhe Çështjet e Brendshme më 24 nëntor, ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, tha se bëhet fjalë për “kritika tendencioze” që, sipas tij, janë përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga ndryshimet e tjera, të cilat sjellin një pozicion më të favorshëm për ushtarakët profesionistë.
Gashiq vlerësoi se thelbi i ligjit është “përmirësimi i pozicionit të anëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, gjë që opozita përpiqet ta bllokojë”.
“Pse? Sepse nuk ju konvenon që t’iu thonë qytetarëve dhe ushtarakëve profesionistë, që janë me kontratë, të Ushtrisë së Serbisë se me ligjin e vitit 2007 u vendos që ata kurrë nuk kanë të drejtë të kenë një kontratë të përhershme pune, nëse nuk marrin gradat e nënoficerëve. Ky është thelbi i këtij ndryshimi ligjor në ushtri”, tha Gashiq.
Rregullimi i statusit të ushtarakëve profesionistë
Edhe pse ndryshimet në nenin 19 kanë tërhequr vëmendjen më të madhe të publikut, ato nuk janë të vetmet ndryshime të propozuara në Ligjin për ushtrinë.
Janë përcaktuar edhe një sërë dispozitash që rregullojnë pozicionin e anëtarëve profesionistë të Ushtrisë së Serbisë, përfshirë mundësinë e punësimit me kohë të pacaktuar.
Analisti ushtarak Aleksandar Radiq theksoi se këto janë kërkesa me “peshë politike” dhe rëndësi më të madhe.
“Papritmas, pushteti është shumë i interesuar për atë që deri dje e injoronte, kur Sindikata Ushtarake e Serbisë ngrinte pyetje se çfarë do të bëhet me këto tema”, deklaroi ai.
“Definohet statusi i ushtarakëve profesionistë, i cili ka qenë i pazgjidhur për vite me radhë. Asnjëherë që nga viti 2012, SNS-ja në pushtet nuk ka menduar ta përmendë këtë temë, dhe tani ndryshimet dhe plotësimet e ligjit miratohen me nguti”, shtoi Radiq.
Ai konsideroi se kjo “vjen nga nevoja” e SNS-së në pushtet për të “krijuar një mekanizëm ku shpërblen njerëzit” për të “konsoliduar mbështetjen e saj” brenda ushtrisë.
Para 14 vjetësh, Serbia kaloi në ushtri profesionale dhe hoqi shërbimin ushtarak të detyrueshëm.
Edhe pse pati paralajmërime se këtë vit mund të rivendosej shërbimi i detyrueshëm ushtarak, kjo nuk është përfshirë në ndryshimet e propozuara ligjore.
Serbia thotë se ushtarakisht është neutrale dhe neutralitetin ushtarak e ka përfshirë edhe në Strategjinë e Mbrojtjes dhe Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të cilat u miratuan në Parlament në vitin 2019. Serbia është një nga vendet e pakta të Ballkanit Perëndimor që nuk dëshiron t’i bashkohet NATO-s./REL









