Skandali “Bankers” ka marrë përmasa të tjera. Pas arrestimeve të para të ekzekutuara nga Prokuroria e Fierit, çështja është zgjeruar ndjeshëm duke përfshirë hetime më të thelluara mbi zinxhirin e përgjegjësive brenda administratës tatimore dhe zyrtarëve që dyshohet se kanë lejuar për vite abuzimet me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton veprimet e organeve tatimore që ndër vite nuk kanë kontrolluar apo kanë lejuar shkeljet e kryera nga kompania Bankers.
Dy prokuroret e SPAK, Anita Jella dhe Enkeleida Millonai kanë vënë në sitën e hetimit edhe veprimet e organeve tatimore që ndër vite kanë lejuar abuzimet e Tatimeve.
Mësohet po hetohen vepra të ndryshme penale, përfshirë:
• Krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar
• Fshehjen e të ardhurave
• Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
• Shpërdorimin e detyrës
• Moskryerjen e detyrave nga organet tatimore
• Korrupsionin pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë
• Veprimtari kriminale nga grupi i strukturuar kriminal
Hetimet përfshijnë edhe veprimet e doganave, zyrave të konsulencave dhe strukturave të financave, pasi dyshohet se zyrtarët e këtyre institucioneve kanë lejuar skemat mashtruese të Bankers, ku kompania dilte me humbje fikse për të shmangur pagesën e taksave dhe përfitonte miliona euro.
Zgjerimi i hetimeve reflekton përpjekjen e SPAK për të hedhur dritë mbi përgjegjësitë e të gjithë zinxhirit administrativ dhe për të ndëshkuar çdo abuzim, duke përfshirë ish-zyrtarët e kompanisë, punonjësit e tatimeve dhe doganave, si dhe zyrtarë vendorë të përfshirë në skemat e dyshuara.









