Marrëveshja eventuale për paqen në Ukrainë rikthen paradoksalisht Amerikën në Evropë, zbulon mungesën e peshës gjeopolitike të BE-së dhe krijon probabilitetin që Ballkani Perëndimor të zgjohet me njohjen se nuk është sferë e interesit të Rusisë.
1.
Isha duke u kthyer nga një konferencë për 30-vjetorin e Marrëveshjes së Daytonit në Sarajevë, kur lexova reagimin e Ursula von der Leyenit lidhur me Planin 28-pikësh për paqen në Ukrainë: “Së pari, kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Së dyti, si një komb sovran, nuk mund të ketë kufizime mbi forcat e armatosura ukrainase. Dhe së treti, roli qendror i Bashkimit Evropian në sigurimin e paqes për Ukrainën duhet të pasqyrohet plotësisht”.
Ky pozicionim në veshët e dikujt që ka kaluar negociatat e zhbërjes së ish-Jugosllavisë dhe rifreskimit të kujtesës me shikimin prapa të Daytonit tingëllon si një rrëfim që zbulon në të tri pikat e kushteve evropiane një mungesë realizmi dhe peshe gjeopolitike. Pra, që tani, pozicioni evropian ka pak gjasa të ketë vlerë sepse parimet themelore të negociatave që tani kanë njohje të këtij realiteti: territori që është pushtuar nga Rusia ka gjasa të legalizohet, forca ushtarake e Ukrainës ka gjasa jetë e kufizuar me marrëveshje dhe garanca kryesore për sigurinë e Ukrainës do të bëhet SHBA-ja.
Plani 28-pikësh, 20-pikësh apo 15-pikësh – çfarëdo forme që të marrë gjatë një procesi eventual negociator – ka pak gjasa që të ndryshojë parimet bazë e ato janë, të përdorim inversionin e fjalëve të von der Leyenit se kufijtë e ri të Ukrainës do të përcaktohen me pëlqimin e të gjitha palëve, duke njohur territoret e pushtuara me forcë, forca ushtarake e Ukrainës do të jetë e dakorduar ashtu që të mos jetë në NATO dhe të mos perceptohet si ofensive nga ana e Rusisë dhe së treti garanca për sigurinë e Ukrainës është një marrëveshje bilaterale mes SHBA-së dhe Ukrainës (me ftesë për shtetet evropiane të NATO-s të afta për të dhënë garanca) në kuptimin e nenit 5 të NATO-s me të cilin sulmi eventual i paprovokuar ndaj Ukrainës do të konsiderohej sulm kundër SHBA-së (dhe aleatëve të përfshirë).
2.
Analogjia e thelluar me Daytonin nuk është e mirë, por ndoshta ia vlen ajo e përgjithshme se 30 vjet pas ndërhyrjes amerikane për ndërprerjen e luftës në Bosnjë e Hercegovinë, SHBA-ja sërish ka marrë rolin prijës për ndaljen e një lufte evropiane. Njëra pasojë imediate e kësaj ndërmarrjeje politike është se nga njëra anë tregohet mungesa e rolit vendimtar evropian për të arritur paqe, pra edhe mungesa e kapacitetit për atë që von der Leyeni do të quajë “roli qendror i BE-së për të siguruar paqen”. Pasoja tjetër është fakti se SHBA-ja rimerr përgjegjësi për siguri në një pjesë të kontinentit evropian. Dhe, këto po ndodhin në administratën Trump, e cila ishte më e zëshme që prej rënies së Murit të Berlinit se SHBA-ja nuk duhet të kujdeset më për Evropën.
Por, meqë u përmend Daytoni dhe ndonëse konteksti ka ndryshuar në formë dramatike – administrata Clinton jetonte në një botë ku SHBA-ja ishte superfuqia e vetme, administrata Trump jeton në multipolaritet – ia vlen të mësohet një gjë thelbësore nga marrëveshja që ndali luftën në BeH. Jo, nuk është fjala për dimensionin moral, pra për shpërblimin a jo të agresorit. Realizmi i asaj kohe thoshte se duhej njohur territoret e fituara me luftë nga ana e serbëve të BeH (në fakt Serbisë) dhe realizmi i kësaj kohe thotë se duhej njohur territoret e pushtuara nga Rusia, meqë Ukraina nuk ka gjasa t’i rikthejë ato dhe në BE e SHBA nuk ka vullnet për ta përkrahur një vazhdim të gjatë të luftës që do të synonte një gjë të tillë. Realizmi këtu do ta mundë çfarëdo konsiderate morale dhe BE-ja do të bënte mirë që të përqendrohet në objektivin parësor e ky është se si të integrohen provizionet e nevojshme që Ukraina e mbetur sovrane (pas ridefinimit të kufirit me Rusinë) të jetë shtet funksional, demokratik dhe i aftësuar që brenda një periudhe relativisht të shkurtër të jetë anëtar i BE-së. Në këtë fazë negociatash kjo do të thoshte qartësi e plotë e Marrëveshjes, me eliminim të dykuptimësive si në fushën e sigurisë, në atë administrimit-sovranitetit si dhe kostos së rindërtimit të shtetit që pësoi agresionin rus.
3.
Në këtë moment është vështirë të parashikohet se cili do të jetë fati i Planit amerikano-rus (i hartuar në Miami nga Steven Witkoff dhe i besuari i Putinit, Kiril Dimitriev) dhe i futur si dokument bazë në bisedimet amerikano-ukrainase në Gjenevë këtë fundjavë e i shpalosur liderëve të BE-së në Samitin e tyre në Angola. Plani mund të jetë shtytës për negociata të shpejtuara, mund të jetë bazë për aktivitet ushtarak e politik nga ana e Putinit për të përmirësuar kushtet apo mund të futet në gjumë deri në rundin e ardhshëm të iniciativave politike për të ndërprerë luftën. Por, ajo që ka shumë gjasa të ndodhë është që parimet e këtij plani (kufijtë e rinj të Ukrainës, kufizimi i aftësive të veta ushtarake, garancat amerikane/NATO të sigurisë) të mos pësojnë ndryshime, pos nëse ka ndryshim dramatik në terrenin ushtarak.
Dhe, ajo që mund të parashikohet është se nëse ky plan shërben për të arritur paqe, kontinenti evropian do të ravijëzohet parimi për të cilin Putini (dhe nuk ishte i vetmuar as në viset e tjera të botës) ka insistuar, parimi i sferave të interesit. Rusia do të ketë treguar se deri ku shtrihet sfera e saj e interesit, një përpjekje e cila ka marrë të gjitha mandatet e Putinit gjatë këtij shekulli. SHBA-ja do të gjendet në situatë paradoksale ngase presidenti Trump nuk ka treguar ndonjë konsideratë të veçantë për nocionin e politikës euro-atlantike por me këtë marrëveshje do të ndërmarrë obligime që të shtrijë politikën e vet të mbrojtjes deri në kufirin (e ri) mes Ukrainës e Rusisë.
4.
Shikuar nga Sarajeva, Prishtina, Podgorica apo Beogradi, një marrëveshje e këtillë eventuale do të duhej të kishte sfidën e njëjtë çfarë duhet ta ketë Brukseli. Në eventualitetin e arritjes së marrëveshjes dhe sapo të bjerë pluhuri i parë i paqes, që të gjithë në Ballkanin Perëndimor së bashku me fuqitë evropiane mund të zgjohen një mëngjes me njohurinë fillestare të realitetit të ri se kjo zonë e Evropës nuk i përket sferës së interesit të Rusisë. Dhe se gjendemi para një hapësire ku mund të shprehet identiteti euroatlantik i saj./KOHA









