Kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh sot se kryeministri Edi Rama mashtroi gjatë takimit me Marta Kos, kur tha se asnjë ministër në asnjë vend të botës demokratike nuk është pezulluar nga detyra nga drejtësia.
Berisha tha se “është mashtrim që asnjë ministër në një vend të BE nuk është pezulluar! Kjo ka ndodhur në Rumani, Itali, Francë, në Kroaci, Spanjë. Ministrat janë pezulluar në kohën që kanë qenë në hetim, pa u dhënë dënimi” tha ai.
“Për këtë arsye, neni 103/3, i jep ministrit mbrojtjen kushtetuese të nenit 73 të Kushtetutës dhe jo garanci që rrjedhin nga kodi i procedurës penale dhe që lidhen me zgjedhshmërinë e tyre si përfaqësues të popullit.
Neni 245 i kodit të procedurës penale, dhe në radhë të parë i zbatueshëm për ekzekutivin, funksionarët publikë, edhe ky nuk mund të jetë i mirë për zyrtarë të dorës së dytë apo zyrtarët e lartë, por jo për ministrat se ndryshe do të quheshim ferma e derrave e George Oruellit ku derrat janë të barabartë, por disa janë më të barabartë.
Sa për kujtesë, unë vetë kam argumentuar se detyrimi për paraqitje dhe heqja e të drejtës për të dalë jashtë shtetit janë kufizime të lirisë.
Pra, si marrja e pasaportës, edhe detyrimi për paraqitje, këto janë kufizime të lirisë.
Dhe kur unë protestova, kur unë i kundërshtova, Gjykata Kushtetuese, qeveria, parlamenti mbrojti se ajo është masë e drejtë që buron nga kodi i procedurës penale dhe se deputeti nuk është i mbrojtur.
Në atë kohë ua thashë, do kapni kokën me dorë, po le ta kapin, të shkulin kokë, hundë dhe vesh se e meritojnë.
Sa për mua, unë rikujtoj këtu se në vitin 2012 kam dërguar në parlament ligjin që hiqte çdo lloj mbrojtje deputetit.
Ndaj dhe unë në qoftë se bëra rekursin, e bëra në respekt të Kushtetutës dhe absolutisht të asnjë problemi personal të Sali Berishës.
Por këta nuk kapen me të drejtat që janë cenuar, Lubi Balluku nuk lëviz dot, Lubi Balluku detyrohet të paraqitet, nuk ka rëndësi kjo.
Pezullimi nuk hyn kërkund në asnjë të drejtë.
Nuk ka asnjë lidhje me imunitetin, ka lidhje me hajdutët që përpiqen të mbrohen me çdo kusht si të mbyturit që përpiqen të kapen pas fijes së barit.
Në fakt, në rastin tim gjykata vendosi ndryshe, por vendosi në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe gjykimet e Gjykatës së Strasburgut” tha ai.









