Kryetari i PD-së, Sali Berisha akuzoi sot se dyshja Rama-Balluku kërkon të përmbysë në Kushtetuese vendimin e ligjshëm të GJKKO-së.
“Dje unë njoftova se do paraqes sot të gjithë argumentet e pakundërshtueshme ligjore të cilat faktojnë se dyshja Rama-Balluku, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, përpiqen të mbrojnë vjedhjen që kanë bërë.
Të kapur në flagrancë me vjedhjet e mëdha të taksave të qytetarëve, Edi Rama dhe Lubi Balluku, në përpjekje të dëshpëruar për t’u mbrojtur nga krimi i tyre i përbashkët janë vërsulur me tërbim drejt Gjykatës Kushtetuese, duke shpallur me mediat e tyre si puçist, antikushtetues vendimin e gjykatës speciale të antikorrupsionit për pezullimin nga detyra të Lubi Ballukut, de facto për vjedhjen në bashkëpunim me Edi Ramën dhe organizatën e tyre kriminale në drejtorinë e përgjithshme të rrugëve.
Këta bashkëhajdutë shkuan së bashku në Gjykatën Kushtetuese për të përmbysur vendimin e ligjshëm të GJKKO-së dhe po përdorin për këtë qëllim të gjitha mjetet e presionit ndaj kësaj gjykate që u jap edhe pushteti. Lidhur sa më sipër, deklaroj se:
Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik hyn në masat e sigurimit personal, parashikuar nga neni 227 dhe 240 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo masë mund të zbatohet nga gjykata kur procedohet për vepra penale për të cilat ligji parashikon një dënim me burgim më të lartë se një vit sipas nenit 241.
Gjykata vendos caktimin e një mase të tillë kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen apo vërtetësinë e provave bazuar në rrethana fakti që duhet të tregohen posaçërisht në arsyetimin e vendimit si dhe kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të pandehurit, e keni parasysh ju, dy hajdutë të papërmbajtur për sa i përket personalitetit të të pandehurit, ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.
Neni 248, fraksioni 3.
Neni 242, pika 1.
Ky nen parashikon se me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon pjesërisht ose plotësisht për një afat të kufizuar të pandehurit veprimtarinë që lidhet me funksionet e tij.
Por ky nen përcakton që kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, që do të thotë se nuk zbatohet për funksionin e deputetit dhe të të zgjedhurve vendorë.
Funksionet ministrore janë funksione të zgjedhura me akt administrativ. Populli, sovran nuk ka votuar as për ministrin, as për kryeministrin, në sistemin zgjedhor të republikës së Shqipërisë. Konkretisht, dekret të presidentit të Republikës.
Për rrjedhojë, gjykata mund të disponojë për pezullimin e përkohshëm të tyre.
Në rastin konkret, Lubi Balluku mund të pezullohet nga detyra e zëvendëskryeministres por jo nga ajo e deputetes” tha ai.









