-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Andi Mustafaj: Filozofia e hapësirave përmbi atë të posteve për një PD me disa shpejtësi

Kryesoret

Le ta themi që në fillim: sot Partia Demokratike njeh një shkrirje mes partisë dhe grupit të saj parlamentar. Më saktë, mes partisë dhe një pjese të grupit, i cili, përmes një procesi gradual e të padukshëm kapilarizimi, ka thithur hapësirat politike, duke u bërë porta hyrëse dhe dalëse e çdo veprimtarie publike. Kjo ka sjellë një efekt domino: hapësirat janë tkurrur dhe shumë prej atyre që kanë vullnet, mendje dhe energji për të bërë politikë nuk gjejnë më vend ku të hyjnë.

Teorikisht, ekziston gjithmonë mundësia e iniciativës. Praktikisht, në mjedisin e hiperpolarizuar shqiptar, çdo iniciativë shihet me dyshim, me mosbesim, shpesh me armiqësi. Propaganda e regjimit e instrumentalizon menjëherë për të goditur kryetarin e partisë, edhe kur nisma vjen pikërisht nga njerëz që besojnë te ai. Nga ana tjetër, oborri brenda partisë, që e kemi analizuar gjerë e gjatë, e sheh çdo iniciativë të re si kërcënim për privilegjet e tij dhe e shuan në vezë. Kështu, iniciativa, instrumenti më i pastër i demokracisë së brendshme, kthehet në tabu. Në disa raste, edhe në sakrilegj.

Por politika nuk mund të bëhet pa iniciativë. Dhe kur hapësira e iniciativës mbyllet, njerëzit përfundojnë në skajin tjetër të gabimit: veprojnë të vetëm, të paorganizuar, të paintegruar. Kjo është logjika e trimave përballë ushtrisë, e njëjtë me metaforën që kemi trajtuar qartë: një trim i guximshëm nuk rrëzon një regjim që funksionon si një makineri vertikale. Heroizmi individual është i admirueshëm, por i pafuqishëm. Regjimi nuk thyhet me zëra të veçuar. Ai thyhet vetëm me strukturë.

Po të mos e kuptojmë këtë, përfundojmë në karikaturën e politikës: individët që bredhin studio më studio, duke besuar se debati televiziv është politikë. Debati mund të jetë mjet; nuk është kurrë qëllim. Politika e vërtetë bëhet në terren, në organizim, në prodhimin e ideve dhe alternativës, në mobilizimin e energjisë kolektive. Dhe kjo është arsyeja pse, në çdo rrugë që marrim, kthehemi te i njëjti konkluzion: struktura. Rëndësia e saj është e patjetërsueshme.

Por struktura nuk është vetëm rend hierarkik. Është edhe arkitekturë hapësirash. Dhe pikërisht këtu gjendet nyja e krizës së sotme: mungesa e hapësirave që ka sjellë shkrirja parti–grup parlamentar. Ne kemi deputetë që kanë një rol institucional të padiskutueshëm, por duke zënë karriget e partisë, ata pa dashje bllokojnë qarkullimin e energjisë së re. E ngadalësojnë partinë, e ngurtësojnë, e ngjisin në vend.

Në një botë ideale, deputetët do të lëshonin postet brenda partisë për t’i hapur rrugë gjeneratës së re të organizimit politik. Por kjo nuk do të ndodhë. Nuk mund t’i detyrojmë. Dhe, në realitetin aktual, çdo tentativë e imponuar, sado e drejtë në teori, do të prodhonte thyerje të panevojshme.

Prandaj, duhet një qasje tjetër: krijimi i hapësirave të reja pa prishur ekuilibrat e vjetër. Një arkitekturë e re organizative që rrit vëllimin e politikës pa e shkatërruar strukturën ekzistuese. Ky është thelbi i filozofisë së hapësirave.

Në kulturën tonë politike, për shumë vite legjitimiteti ka ardhur vetëm nga posti. Të gjithë rendnin pas një titulli, një vule, një karrige. Por posti është një karrige e rëndë: sa më shumë e mban, aq më shumë të rëndon, aq më pak të lë të ecësh. Ai nuk prodhon forcë, por ngurtësi. Nuk krijon konkurrencë, por mbyllje. Nuk nxjerr talente, por i bllokon.

Kjo filozofi ka rrënjë të thella. Periudha e drejtimit të Z. Basha e shfaqi më qartë se kurrë: filozofia e “një anëtar – një deputet” shpërndau poste sikur ishim në pushtet, ndërkohë që opozita s’kishte asgjë për të shpërndarë.

Hapësira është e kundërta. Nuk është karrige, por fushë loje. Ajo të lejon të vraposh, të provosh, të rrëzohesh, të ngrihesh. Të ekspozon, të detyron të rrezikosh, të nxit të matësh veten me të tjerët. Hapësira është vendi ku lindin idetë dhe ku testohen liderët. Ajo nuk premton pushtet, por mundësi. Dhe vetëm aty dikush mund të legjitimohet: jo sepse mban një titull, por sepse ka treguar aftësi.

Filozofia e hapësirave nuk lufton njeriun, por zbrazëtirën. Nuk kërkon largimin e askujt, por hapjen e dyerve për shumëkënd. Nuk ndërton kulla pushteti, por rrjete veprimi. Dhe mbi të gjitha, ajo i rikthen PD-së frymëmarrjen politike që i është mohuar prej vitesh.

Mekanizmi që e jetëson këtë filozofi është drejtimi nëpërmjet krijimit të grupeve të punës tematike. Një formë organizimi që i jep PD-së shpejtësinë dhe fleksibilitetin e munguar. Grupi i punës nuk është një post, por një detyrë; nuk është një privilegj, por një përgjegjësi; nuk është një strukturë e përhershme, por një mjet i përkohshëm që vazhdon vetëm sa kohë zgjat misioni i tij. Secili grup ka një fillim, një fund dhe një mënyrë të matshme për të vlerësuar punën e kryer. Në përfundim të mandatit të tij ai shpërbëhet, duke krijuar terren për të tjerë, për tema të tjera, për energji të tjera.

Kjo filozofi hapësirash sjell brenda partisë një ritëm të ri: një parti që nuk mbështetet më te ngurtësia e posteve, por te dinamika e punës; një parti ku lidershipi nuk buron nga titulli, por nga performanca; një parti ku talentet nuk mbeten në pritje, sepse hapësira nuk varet më nga largimi i dikujt, por nga hapja e një detyre të re. Kështu bëhet e mundur krijimi i një numri të madh grupesh pune që funksionojnë paralelisht, duke mbuluar fusha të ndryshme politike dhe programore, duke e kthyer partinë në një organizëm të gjallë që prodhon vazhdimisht ide, analiza dhe propozime.

Në këtë mënyrë, zhdërvjelltësia zë vendin e ngurtësisë, energjia e shpërndarë kthehet në energji të përqendruar, dhe inovacioni bëhet pjesë organike e jetës së partisë. Nuk është më karriera ajo që përcakton punën, por puna ajo që krijon karrierë. Dhe në këtë model, një gjeneratë e re politike nuk ngjitet përmes posteve, por përmes meritës; nuk kërkon karrige, por detyra; nuk pret hapësira, por i krijon ato përmes punës. Kjo është natyra e një partie që kërkon ritmin e fitores.

Hapësirat krijojnë diçka që postet e vrasin: konkurrencën e shëndetshme. Në një ekip sportiv, çdo lojtar ka hapësirë për të treguar veten në stërvitje, por vetëm më i miri luan titullar. Në fushë ata luftojnë mes tyre, por jashtë fushe janë vëllezër. Kështu ndërtohet kohezioni: mbi respektin e përpjekjes dhe meritës, jo mbi shpërndarjen e titujve.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit