Ish-deputeti demokrat Xhemal Gjunkshi ka reaguar për takimin që e zhvilluar tre ditë më parë në Tiranë, mes disa prej figurave më të votuara të Partisë Demokratike në Primaret e fundit.
“Mbi takimin e mbajtur në Tiranë mes demokratësh! Dua të sqaroj publikisht një çështje që ka lindur pas një takimi miqësor mes miqve demokratë në Tiranë.
Unë, siç kam bërë gjithmonë ndër vite, jam takuar me shokë dhe bashkëpunëtorë të Partisë Demokratike për të diskutuar për çështje që lidhen me situatën politike në vend.
Pjesëmarrja ime në këtë takim nuk ka të bëjë me asnjë lloj iniciative për krijimin e ndonjë formacioni të ri politik. Unë kam qenë, jam dhe do të mbetem institucional, i përkushtuar ndaj Partisë Demokratike, ndaj parimeve të saj, në shërbim të elektoratit tim që më votuan dhe më besuan.
Nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë nisme që synon të krijojë alternativa jashtë kësaj partie. Ishte vetëm një kafe mes miqsh demokratë me diskutime mbi situatën aktuale politike” shprehet ai.









