Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Paris për të zhvilluar bisedime me homologun francez Emmanuel Macron, duke u fokusuar tek mënyrat për të dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme.
“Lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Shumë varet nga pjesëmarrja e secilit udhëheqës,” shkroi Zelensky në rrjetin X, duke njoftuar se do të ketë takime edhe me udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë.
Bisedimet vijnë një ditë pas takimeve në Florida mes delegacioneve amerikane dhe ukrainase, të cilat u cilësuan si frytdhënëse.
Përpjekjet për paqe pritet të intensifikohen gjatë kësaj jave, ndërsa i dërguari amerikan Steve Witkoff do të takohet të martën me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mundësitë e një zgjidhjeje diplomatike.









