Ambasadori gjerman Bergner u takua sot për të zhvilluar një bisedë me Kryetaren e KLP-së, znj. Mirela Bogdani dhe një sërë anëtarësh të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në bisedën me anëtarët e qeverisë së prokurorëve, diplomati gjerman e vuri theksin te domosdoshmëria e ruajtjes së standardit të vendosur deri më tani nga SPAK.
Ambasadori Bergner nuk i kurseu vlerësimet për punën e bërë nën drejtimin e kreut aktual, duke e cilësuar atë si një periudhë suksesi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.
“Nën drejtimin e Altin Dumanit SPAK ka arritur suksese jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit të të gjitha niveleve dhe krimit të organizuar.
Është e rëndësishme që të vazhdojë të mbahet ky kurs. Ne kemi besim, se zgjedhja e ardhshme do të zhvillohet në mënyrë transparente dhe se çdo anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të orientohet në vendimin e tij vetëm prej përgatitjes profesionale të kandidatëve dhe integritetit të tyre të padiskutueshëm”, tha Bergner.









