Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndaluar hyrjen në vend të një sasie prej 51 ton misër me origjinë nga Serbia, pasi kontrollet laboratorike zbuluan nivele të larta të Aflatoksinës B1, përtej kufijve të lejuar.
Sipas njoftimit zyrtar, mostrat e marra nga dy ngarkesa të destinuara për ushqim kafshësh kanë rezultuar pozitive për këtë mikotoksinë të rrezikshme, e cila përbën kërcënim serioz për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve.
Si pasojë, njëra nga ngarkesat është kthyer menjëherë mbrapsht drejt Serbisë, ndërsa tjetra është bllokuar dhe do të asgjësohet sipas procedurave të sigurisë ushqimore.
AKU thekson se produktet ushqimore të importuara i nënshtrohen kontrolleve të rrepta, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve.









