Liria e plotë pa përgjegjësi nuk është gjeneratore zhvillimi, por prodhon vetëkënaqësi, dembelizëm dhe dështim. Ky është një mësim i thjeshtë i jetës, por një ligj i hekurt edhe në politikë.
Prandaj, filozofia e hapësirave nuk mund të funksionojë pa një mekanizëm të rreptë dhe transparent vlerësimi performance. Nuk ka më vend për improvizim, as për justifikime.
Secila hapësirë, qoftë grup pune, detyrë e përkohshme, mision programor apo nismë politike duhet të lidhet me një “letër-misioni” të qartë: pse ekziston, çfarë problemi zgjidh, cilat rezultate priten, cilin produkt duhet të dorëzojë dhe, kur është e nevojshme, cilin proces duhet të ndjekë.
Indikatorët e performancës janë busulla e këtij procesi. Pa ta, ecim në mjegull; me ta, çdo individ dhe çdo strukturë di se ku është, ku duhet të shkojë dhe si matet rruga që bën. Këta indikatorë nuk mund të jenë të fshehtë, sepse llogaridhënia është akt publik. Ata duhet të jenë të qartë dhe të aksesueshëm për çdo anëtar të partisë, për çdo qytetar të interesuar, për çdo zë të shoqërisë civile. Vetëm në këtë mënyrë rikrijohet besimi: kur përgjegjësia shihet dhe matet nga të gjithë.
Sot, veprimtaria politike barazohet me një kriter të vetëm: sa i zëshëm je në revoltë. Kush proteston më shumë, kush denoncon më fort, kush sjell më shumë njerëz në shesh konsiderohet “më i dobishëm”. Por ky kriter është i cunguar: ai nuk ndërton shtet dhe nuk prodhon alternativa qeverisëse. Ai barazon të gjithë në një nivel të ulët protestues të përhershëm. Nëse PD synon të jetë kundër shembulli i Rilindjes Socialiste, duhet të kalojë nga barazia e revoltës tek meritokracia e performancës.
Kjo logjikë duhet të nisë nga maja. Kryesia e partisë duhet të jetë e para që vlerësohet mbi bazë indikatorësh të qartë; vetëm duke dhënë shembullin, mund të kërkojë të njëjtën gjë nga degët dhe nëndegët. Vetëm kështu ndërtohet një kulturë e re politike, ku merita nuk është fjalë solemne në statut, por kriter i përditshëm matjeje.
Kategoritë themelore të vlerësimit të performancës (në periudhë jo zgjedhore)
Nëse filozofia e hapësirave është arkitektura, atëherë mekanizmi i vlerësimit është graviteti që e mban atë në këmbë. Pa të, gjithçka rrëzohet në kaos, në arbitraritet, në improvizim. Me të, hapësira nuk shndërrohet në boshllëk, por në motor që prodhon ritëm, konkurrencë të shëndetshme dhe rezultate të matshme.
Për ta bërë këtë funksional, Partia Demokratike duhet të ngrejë një sistem vlerësimi të ndërtuar mbi pesë kategori të mëdha, pesë shtylla që përmbledhin thelbin e asaj që është performanca politike në kushte opozitare. Çdo indikator, çdo letër-misioni, çdo detyrë e re duhet të lidhet me njërën ose disa prej këtyre shtyllave.
- Fitoret politike (prova e forcës). Një përfaqësues duhet të jetë i aftë të tregojë, në fund të kryerjes së detyrës, cila fitore politike u arrit. Kjo është kategoria e parë sepse nëpërmjet saj, pak e nga pak ne rikrijojmë një veprimtari “goal oriented” dhe shtyjmë mentalitetin fitues, atë fitues të vërtet që matet, ndihet dhje tërheq të tjerët përpara. Fitorja politike është si koncept merr shumë forma. Kjo mund të jetë në një negociatë, disa pika të miratuara drejtpërdrejt me kërkesën e përfaqësuesit të PD-së. Mund të jetë në rrëzimin e një figure të korruptuar. Mund të jetë në miratimin e një akti juridik, e kështu me radhë. Këto mund të jenë edhe të brendshme, në rast se miratohet një linjë politike apo një propozim i caktuar strategjik.
- Kauzat qytetare (shkuarja përtej partisë). E kemi analizuar disa herë që PD shkon përtej rolit të saj, por sa herë që duhet ta bëjë, ajo duhet të ketë mundësinë të tregojë çfarë arriti. Dhe këtu drejtimi me filozofinë e hapësirave dhe të detyrave merr kuptim të veçantë. Për shembull, për betejën e universiteteve, nuk duhet pritur përballja dhe konflikti me qeverinë për të vepruar, por duhet vepruar në kohë të ndryshme në mënyrë që të krijohen kushtet e fitores në momentin e duhur. Kjo bën gjithashtu që PD të zgjedhë me kujdes kauzat dhe betejat qytetare që duhet të mbrojë, sepse duke mos fituar në mënyrë të shpeshtë dhe duke dalë nga roli i saj, ajo ushqen propagandën, siç e kemi thënë disa herë, në mënyrë të pavetëdijshme.
- Cilësia e organizimit (aftësia drejtuese). Duhet vlerësuar personi që ka aftësi drejtuese në këto grupe, duke shtyrë kështu vlerën e drejtimit të grupit dhe jo përdorimit të grupit. Sot është e pakontestueshme që strukturat, në të gjitha nivelet, ekzistojnë kryesisht për të punuar për drejtuesin. Në këtë mënyrë shtyhen metoda negative dhe shkatërruese. Nëse një strukturë nxjerr disa figura, atëherë ajo është e suksesshme. Nëse një strukturë prodhon punë dhe materiale, ajo duhet vlerësuar.
- Zmadhimi i strukturës (fuqia e rritjes organike). Element ky kaq i anashkaluar, ndërkohë që për një strukturë është çelës. Aftësia e zmadhimit në numër jep burimet njerëzore më pas për të menduar dhe përshkallëzuar veprimtarinë politike. Kur është hera e fundit që një strukturë e cila njohu zmadhim u vlerësua? Këto duhen bërë publikisht për të forcuar kundërpropagandën.
- Forca morale dhe besueshmëria (kapitali i padukshëm, vendimtar). Që në kohët e lashta, besueshmëria e lajmëtarit ka qenë faktor kyç. Mund të jesh punëtori më i mirë, por nëse nuk të beson kush, puna bie poshtë. PD duhet të bëjë në mënyrë të vazhdueshme sondazhe të brendshme për figurat dhe punën e tyre, në mënyrë që perceptimi i popullsisë për ta të jetë i qartë dhe të mos përdoren aty ku bëhen kundër prodhues për partinë.









