Prezumimi i pafajësisë është mishëruar në të gjitha dokumentet zyrtare të BE-së, KiE-së, OSBE-së dhe të vendit tonë. Ai ka dalë në krye të vëmendjes politike, publike dhe mediatike veçanërisht muajt e fundit, pas shpërthimit të aferave dhe skandaleve tanimë edhe në sferat më të larta qeveritare dhe bashkiake. Madje, sa herë që publiku kërkon llogari për zyrtarët e lartë të përfshirë në to, Kryeministri Rama e ka prezumimin e pafajësisë në majë të gjuhës për të mbrojtur apo shfajësuar bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, edhe kur korrupsioni plas sheshit!
Me fjalë të thjeshta, prezumimi i pafajësisë do të thotë që çdo person, kushdo qoftë, i akuzuar apo edhe i pandehur, supozohet i pafajshëm deri në shpalljen e fajësisë me vendim përfundimtar gjyqësor, përfshirë këtu edhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Gjithashtu, ajo është hartuar e tillë që të shoqërohet, siç ndodh kudo në Europë me dispozitën tjetër po aq të rëndësishme të “procesit të rregullt ligjor (due legal process) dmth të jetë i drejtë, korrekt, njerëzor dhe transparent. Kjo e fundit është tejet e rëndësishme, sepse sikurse e ka përmendur 101 vite më parë, kryegjykatësi emblematik britanik Lord Hewart, “drejtësia duhet jo vetëm të bëhet, por edhe të shihet tek bëhet”.
Vlen të theksohet se prezumimi i pafajësisë është parim dhe dispozitë juridike dhe nuk ka të bëjë direkt me politikën. Ca më pak mund të shfrytëzohet ky parim si strehë apo mburojë politike për një të akuzuar dhe të pandehur, qoftë edhe kur është qeveritar i niveleve më të larta.
Mirëpo, ky parim i shenjtë juridik në shumë raste injorohet, duke filluar nga mënyra si ndalohen, shoqërohen apo edhe arrestohen individë dhe sidomos personalitete të larta shtetërore; në disa raste ato ngjasojnë “si dy pika uji” me praktikat e shëmtuara moniste, kur mjaftonte arrestimi dhe ti faktikisht ishe fajtor dhe kriminel! Rasti më i shëmtuar por gjithsesi jo i vetmi këtu është ndalimi në formë rrëmbimi në mes të rrugës i ish Presidentit të Republikës, Ilir Meta, çka cenoi jo thjesht integritetin e tij, por në radhë të parë shtetin, qeverinë dhe Kuvendin, të cilët, na pëlqen s’na pëlqen e kanë pasur në krye për vite të tëra. Apo edhe mbajtja pa asnjë logjikë mbyllur në kafaz metalik si në rastin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj edhe gjate seancave gjyqësore etj..
Ca më keq akoma, prezumimi i pafajësisë po përdoret në mënyrë selektive, sipas parimit “njëri i nënës dhe tjetri i njerkës” dhe si “gjethe fiku” për të mbuluar përgjegjësinë direkte të zyrtarëve të lartë qeveritarë. Kësisoj, nga një dispozitë ligjore, prezumimi i pafajësisë po kërkohet të kthehet në një shteg ligjor kalimi, justifikimi dhe shmangie të përgjegjësisë morale, politike dhe institucionale. Ndryshon puna me qytetarët e thjeshtë, të cilët kanë vetëm përgjegjësi personale për një akt apo veprim penal. Ndërsa politikanët dhe qeveritarët e lartë, krahas përgjegjësisë penale mbajnë mbi supe edhe përgjegjësi morale, qytetare, politike dhe institucionale dhe ata nuk mund t’u shmangen këtyre përgjegjësive as me parimin e prezumimit të pafajësisë dhe as me atë të ndarjes së pushteteve.
Ndaj, qeveritarët, kryebashkiakët dhe deputetët në raste aferash dhe skandalesh që kanë plasur “në shtëpinë e tyre” nuk kanë pse të presin vendimin mbi përgjegjësinë penale, e cila mbetet për t’u vërtetuar nga gjykata apo dhe shkarkimin e tyre, por të japin menjëherë dorëheqjen; duke marrë kështu pa hezitim përgjegjësinë politike, sipas rastit, edhe për partinë, qeverinë dhe bashkinë. Për këtë na vjen në ndihmë një dokument i Komisionit të Venecias i vitit 2013, ku nënvizohet se ndryshe nga përgjegjësia ligjore, e cila kufizohet vetëm në shkeljen ose shkeljet me karakter penal që ka kryer një qeveritar i dyshuar, gama e përgjegjësisë së tyre politike dhe administrative është shumë më e gjerë; ajo shtrihet në të gjitha hallkat dhe zinxhirin e dikasterit që ata drejtojnë.
Nisur nga sa sipër, në vendet europiane demokratike, as që mund të imagjinohet që një zyrtar i lartë, jo më kur merret i pandehur, por sapo një dyshim bëhet publik, të shkojë në procesin gjyqësor me ofiqet që mban. Ata nuk presin shkarkimin apo pezullimin as nga kryeministri dhe as nga gjykatat. Largohen vetë dhe i nënshtrohen procesit përkatës gjyqësor të zhveshur nga pushteti dhe ndikimi i tij. Ata i dalin zot vetes me avokatinë e tyre, ashtu siç e ka kërkuar me të drejtë para do kohësh edhe vetë Kryeministri Rama. Por që çuditërisht e “ka kthyer pllakën” në rastin “Balluku”, duke hedhur, dashje pa dashje, hije dyshimi mbi veten e tij..
Në mungesë të dorëheqjes ose shkarkimit, sidomos pas një skandali të madh që qeveritarët tanë as që e zënë në gojë, sërish në emër të prezumimit të pafajësisë, pezullimi i përkohshëm deri në sqarimin e plotë ligjor dhe gjyqësor të këtyre rasteve është procedurë fare normale; sepse një aferë dhe skandal në sektorin që ata mbulojnë dhe drejtojnë nuk dëmton vetëm ata, por mbi të gjitha besimin publik tek ta dhe te qeveria ku ata bëjnë pjesë. Ndaj atje nuk lind nevoja për referim tek organet gjyqësore dhe ca më pak në Gjykatën Kushtetuese, sikurse ndodh vetëm te ne.
Ndërkohë, fakti që një qeveritar merret si i pandehur dhe jep dorëheqjen apo edhe shkarkohet nga funksionet nuk do të thotë se ai është fajtor në kuptimin penal të fjalës. Madje, ai mund të shpallet edhe i pafajshëm. Por, edhe në një rast të tillë, kjo nuk e përjashton atë nga përgjegjësia politike dhe institucionale. Pse? Sepse edhe nëse do të shpallet i pafajshëm, prapë kjo as e fsheh dhe as e fshin dot aferën dhe skandalin, bashkë me humbjet e mëdha financiare që i janë shkaktuar shtetit dhe qytetarëve në atë rast dhe për rrjedhojë përgjegjësinë e tij politike.
Ndryshe, këto skandale të rënda në një vend që po përgatitet të hyjë në BE, madje me kalë beteje luftën kundër korrupsionit galopant që ka pushtuar tanimë majat e larta të pushtetit qendror do të dobësojnë dhe tronditin besimin te publiku i gjerë, si elementi më kryesor që çon edhe te rezultati në kutitë e votimit. Dikush mund të thotë “e mo mirë, se ja disa kryebashkiakë dhe ministra janë dënuar për afera të rënda dhe prapë kjo shumicë parlamentare ka fituar madje edhe më shumë vota”. Mirëpo kjo ndodh sepse te ne ende nuk janë zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por thjesht të mirorganizuara, me “një thes” kritikash dhe vërejtjesh të njohura ndërkombëtarisht.
Ja pse zgjidhja më e lehtë dhe pa asnjë kosto të mëtejshme politike edhe në rastin “Balluku” është dorëheqja e menjëhershme dhe shkarkimi në mungesë të vullnetit përkatës. Europa dhe SHBA-të kanë tradita shumë pozitive me një listë të gjatë aktesh të tilla që minimizojnë kostot politike për vetë personin, e sidomos për partinë dhe institucionin të cilin ata përfaqësojnë apo edhe drejtojnë. Pa shkuar më larg në kohë, mjafton të shihen tri rastet më të fundit, atë të dy ministrave kyç të Ukrainës që akuzohen për korrupsion dhe të ministrit rumun të Mbrojtjes. Ky i fundit vetëm për një “lapsus” në jetëshkrimin e tij lidhur me emrin e shkollës që kishte përfunduar.
Si ai kanë vepruar disa vite më parë edhe 5–6 ministra të spikatur gjermanë, të cilët kanë dhënë menjëherë dorëheqjen pas dyshimeve të ngritura lidhur me plagjiatura të pjesshme të doktoraturave të tyre. Po pse? Se njerëzit do të mendojnë, kur një ministër na gënjen për shkollën apo doktoraturën, atëherë, si mund t’i besojmë atij më shumë apo dhe në luftë si në rastin e ministrit rumun? Dhe sepse ndryshe jo vetëm ata, por edhe qeveria dhe partia e tyre do të humbnin akoma më shumë pikë në besimin dhe imazhin publik me kostot përkatëse zgjedhore; se atje nuk ka truke dhe marifete zgjedhore si te ne, atje ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj dhe besimi publik është domosdoshmëri.
Kështu ka ndodhur muajt e fundit edhe në Spanjë me bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryeministrit Sançez, madje tani trysnia është mbi të. Në Portugali para dy vitesh plasi një skandal ku ishte përfshirë edhe Shefi i Kabinetit të Kryeministrit Antonio Costa. Edhe pse pa asnjë provë ndaj tij, Kryeministri socialist Antonio Costa dha menjëherë dorëheqjen, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, ku PS-ja portugeze e humbi shumicën. Mirëpo, disa muaj më vonë, Antonio Costa, i cili rezultoi i pastër nga skandali në fjalë u zgjodh President i Këshillit Europian.
Ja pse në vend që të merremi me sofizma ligjore, me sulme ndaj gjyqësorit dhe duke ngarkuar jashtë çdo logjike edhe Gjykatën Kushtetuese për një aspekt të qartë, do të ishte më mirë të kopjonim praktikat europiane në frymë dhe në germë. Dhe këtu, dorëheqja ose shkarkimi nga kryeministri është masa më e thjeshtë dhe më bindëse për të mbajtur të paprekur ose për të minimizuar gërryerjen apo humbjen e besimit publik, integritetin moral e politik të vetë personit në fjalë, qoftë deputet, ministër dhe më lart akoma! Se kështu, nuk i shtohet por i ulet kostoja politike dhe publike si qeverisë ashtu edhe institucionit përkatës. Ndaj rasti ynë është vërtet unikal, jo për faj të gjykatës, por sepse kudo jashtë, edhe pse ligjet e lejojnë pezullimin, madje dhe shkarkimin e një ministri, kjo ndodh shumë më rrallë ose nuk ndodh fare për shkak të dorëheqjes së tyre të lirë.
Në të kundërt, “lumi” i akuzave ndaj gjyqësorit dhe drejtësisë që kudo gjetkë do të përbënte skandal, hedhja në Gjykatën Kushtetuese, shtrembërimet apo abuzimet me opinionet dhe vendimet e Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut, deri te ngatërrimi i termit “pezullim i përkohshëm me shkarkim” të një ministri, vetëm se shtojnë dyshimet dhe ngarkesat politike. Gjysma tjetër e së keqes është se këto sjellje politike përgënjeshtrojnë premtimet dhe pohimet e bujshme se shpata e drejtësisë do të bjerë mbi këdo!
Nga ana tjetër, duke ditur dobësitë e opozitës dhe numrat absolutë që kjo shumicë ka në Kuvend, ajo nuk ka përse të abuzojë me besimin e elektoratit; se ai nuk ta ka dhënë votën për t’u fshehur prapa “gardhit” të prezumimit të pafajësisë dhe për të sulmuar gjyqësorin, por për të kundërtën, për një drejtësi të vërtetë dhe kryesorja për të luftuar pa asnjë mëshirë dhe kompromis korrupsionin qysh nga koka e tij.
Së fundi, ky aspekt do të shihet në lupë kur të na kalojnë vërtet “në vrimë të gjilpërës” me rastin e mbylljes së negociatave dhe më konkretisht të grup-kapitullit “Themeloret”, ku drejtësia është “thembra e Akilit” e reformave tona madhore. Tani, po na thuhet shpesh se nuk e bëjmë këtë dhe atë se e do Brukseli! Gjepura! Po, natyrisht do ta hedhim vallen sipas muzikës së Brukselit dhe asgjë të keqe nuk ka këtu, se vetë e kemi kërkuar, por edhe Brukseli nuk i ka dhe nuk po i kërkon reformat si qëllim në vetvete, por për Tiranën, dmth., edhe për ne të gjithë; se pa certifikimin e tyre nga Brukseli ato nuk kanë vlerë. Sidomos tani që “nuk po lemë gur” pa lëvizur për të hyrë atje, me hir apo pahir më 2030! Rasti i tanishëm me çështjen Balluku nuk është ogur i mirë në këtë drejtim. Kjo dosje ulëritëse problematike po “bëhet kapicë”, krahas dosjeve të tjera me median, pushtetin vendor, etj. Kësisoj, realisht vetëm një Zot e di se si mund të mbyllen negociatat më 2027.









