Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka theksuar se prioriteti i opozitës duhet të jetë një qëndrim i përbashkët për Reformën Zgjedhore, e cila sipas tij duhet të lidhë drejtpërdrejt qytetarin me deputetin, duke rikthyer parlamentarizmin dhe llogaridhënien.
Meta ka nënvizuar gjithashtu nevojën për një Reformë Administrative–Territoriale, e cila të sigurojë shërbime më afër qytetarit dhe të ndihmojë në frenimin e shpopullimit, duke marrë shembuj nga modele europiane si Hungaria.
“Partia e Lirisë beson se çështja vendimtare që duhet të bashkojë çdo faktor opozitar sot është qëndrimi i përbashkët për Reformën Zgjedhore.
Objektivi madhor i gjithë opozitës është një Reformë që e lidh drejtpërdrejt qytetarin (votuesin) me deputetin.
Kjo është e vetmja rrugë për rikthimin e parlamentarizmit dhe llogaridhënies.
Po kështu, opozita duhet të paraqesë projektin e saj për Reformën Administrative – Territoriale në bazë të kritereve të pakundërshtueshme që garantojnë shërbimet më pranë qytetarëve dhe që frenojnë shpopullimin e mëtejshëm të vendit.
Përfaqësuesit e PS e bënë të qartë se nuk mund të bëjnë një Reformë që synon popullimin e zonave të braktisura, sepse shpopullimi ka qenë dhd mbetet një nga objektivat e tyre kryesorë .
Opozita ka modele të suksesshme në Europë, si ai hungarez, se si mbështetet popullimi i vendit, se si mbështeten familjet e reja.”