Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka reaguar pas tensioneve mes opozitës dhe Kuvendit për vizitën zyrtare në parlamentin gjerman.
Meta ka kritikuar ashpër veprimet e mazhorancës, duke theksuar se mungesa e përfaqësimit të opozitës në këtë vizitë tregon qartë mungesën e vullnetit për një përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës të Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas tij, ky akt ka dëmtuar më tej imazhin e Kuvendit dhe ka rritur dyshimet për kontrollin e institucioneve nga mazhoranca.
Postimi i Metës:
Përjashtimi nga delegacioni zyrtar parlamentar, i grupit kryesor opozitar të Partisë Demokratike është një akt i turpshëm që tregon qartë, mungesën e vullnetit për përfaqësimin gjithëpërfshirës të Kuvendit të Shqipërisë, aq më tepër në këto momente të rëndësishme edhe në Gjermani.
Është një akt i neveritshëm diversioni, që dëshmon se mazhoranca e “Diellave” e ka zëvendësuar dialogun politik me uzurpimin e institucioneve.
Ky akt kaq i ulët u tregon partnerëve ndërkombëtarë, gjendjen në të cilën ndodhet Kuvendi i prodhuar nga krimi.
Pasi i hoqën opozitës, për herë të parë pas dy dekadash, kryesimin e Komisionit të Integrimit, tani kanë vendosur t’i heqin edhe të drejtën legjitime të përfaqësimit.