Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” ju fton në premierën e filmit dokumentar: “Shaban Murati, Diplomati Antitabu”, që do të zhvillohet më 11 Dhjetor 2025, ora 17:00, në Hotel Tirana International.
Shaban Murati nuk ishte vetëm një personalitet i jashtëzakonshëm i diplomacisë shqiptare, por edhe anëtar i Bordit të Fondacionit, “ku dha një kontribut të pakrahasueshëm në mbrojtjen e interesave kombëtare, në çështjen çame dhe në orientimin strategjik të punës sonë”.
Fondacioni i drejtuar nga zoti Alket Veliu thekson se “Shaban Murati ishte një mendimtar i lirë, një diplomat antitabu, një zë i kthjellët që sfidoi heshtjet, shmangu kompromiset e dëmshme dhe ngriti lart të vërtetat e kombit. Kontributi i tij mbetet i pavdekshëm në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në konsolidimin e kauzave shqiptare”.
Ky film dokumentar sjell jetën, mendimin, vizionin dhe qëndresën e tij intelektuale, një homazh për figurën e tij dhe një detyrim për të ruajtur trashëgiminë që na la.









