Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot nga konferenca e shtypit qeverinë se e ka kthyer vendin në një narkoshtet, të parin në Evropë dhe kjo sipas tij faktohet nga rezolutat e deritanishme që ka bërë faktori ndërkombëtar për Shqipërinë, para dhe pas zgjedhjeve të 11 majit.
“Të gjitha rezolutat faktojnë para të gjitha partive politike realitetin dramatik të Shqipërisë nën regjimin e Edi Ramës. Rezolutat mbështesin fuqimisht opozitën shqiptare dhe popullin opozitar që përballen me regjimin kriminal dhe përjetojnë momentet e vështira, shtypjen e pluralizmit dhe shtypjen e të drejtave themelore të qytetarëve. Rezolutat janë kambana alarmi se në Shqipërinë e vogël që dikur Enver Hoxha e quante kështjella e pamposhtur nga imperializmi, Edi Rama ndërtoi kështjellën e drogës. Rezolutat nxjerrin në ditën e diellit keqpërdorimin e drejtësisë dhe reformës në drejtësi nga narkoregjimi”, tha Berisha.









