Avokati i Popullit ka publikuar një raport që tregon shkelje të rënda në trajtimin e Ilir Metës gjatë burgimit të tij në “Jordan Misja”.
Raporti evidenton kufizime të tepërta të të drejtave të tij, përfshirë takime të pakta, pengimin e komunikimit politik dhe shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare.
Deputetja Erisa Xhixho ka reaguar, duke e cilësuar këtë si një abuzim të qartë me pushtetin dhe një shkelje të të drejtave të njeriut.
Postimi i plotë i Erisa Xhixhos:
Raporti më i fundit i Avokatit të Popullit konfirmon zyrtarisht atë që Partia e Lirisë e ka denoncuar prej më shumë se një viti per shkeljen flagrante të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, sa i përket mënyrës çnjerëzore të trajtimit të z. Meta në IEPV-në “Jordan Misja”, ku ai ndodhet i burgosur politik pa fakte dhe pa prova penale, prej më shumë se një viti.
I gjithë procesi është i montuar politikisht, i shoqëruar me abuzim pushteti dhe përdorim represiv të institucioneve të drejtësisë.
Gjetjet kryesore të raportit janë tronditëse:
Avokati i Popullit ka konstatuar se kufizimi i takimeve të Z. Meta në vetëm katër takime në muaj si minimumi i parashikuar në ligj duke e kthyer në standard të ngurtë, pa marrë parasysh rrethanat individuale, statusin e tij shoqëror dhe politik, përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të së drejtës për t’u organizuar politikisht.
Ndalimi i padrejtë i vizitave të deputetëve dhe eurodeputetëve, duke kërkuar autorizime që ligji nuk i parashikon – një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e standardeve ndërkombëtare.
Parashikimi në nenin 51 të ligjit për të drejtat e të paraburgosurve, shpreh qartë faktin se deputetët mund të marrin takim me të paraburgosurit pa autorizim me shkrim të prokurorit.
Kufizimi i komunikimit politik dhe pengimi i kontakteve me drejtuesit e partisë, pa asnjë bazë ligjore por vetëm zbatim i urdhrit politik të Edi Ramës.
Ndërhyrja dhe bllokimi i komunikimit me median, një shkelje e rëndë e lirisë së shprehjes dhe transparencës.
Raporti i Avokatit të Popullit thote qartë se të paraburgosurit duhet të kenë një regjim më të lirë dhe më të gjerë për gëzimin e të drejtave, edhe për shkak të aplikimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Të gjitha këto janë praktikë e një shteti represiv, që përdor burgjet dhe institucionet e drejtësisë si instrument politik për të ndërtuar një regjim arbitrar dhe policor.
Këto janë faktet që dëshmojnë për një sistem që shkel hapur të drejtat e njeriut dhe vepron mbi bazën e urdhrave politikë dhe jo mbi bazën e ligjit.
/5pyetjet.al









