-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Augustin Palokaj: BE-ja para një testi të madh në veri të Kosovës

Kryesoret

Gjithçka u duk normale të premten më 5 dhjetor para mesditës kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave në veri të Kosovës dhanë betimin dhe morën postet e tyre, të cilat ua besuan shumica e qytetarëve me votën e tyre. Mes tjerash, respektuan simbolet shtetërore të Kosovës dhe kornizën ligjore të saj. Pikërisht ashtu siç edhe ka insistuar Bashkimi Evropian tash e një kohë të gjatë. Në anën tjetër, askush nga autoritetet qendrore shtetërore të Kosovës nuk i kontestoi legalitetin dhe legjitimitetin e fituesve të këtyre zgjedhjeve që të jenë tash e tutje në pushtet lokal në katër këto komuna. Dhe në BE iu gëzuan kësaj duke e konsideruar si kthim në një situatë më shumë normale. BE-ja nuk e përmbushi premtimin që Kosovës t’ia heqë masat siç kishte premtuar, por kjo nuk duhet befasuar. Sepse masat janë më shumë një dënim për autoritetet e Kosovës për shkak të zemërimit dhe frustrimit me to. Në BE vetë e pranojnë se ato masa janë hipokrizi, por ja se nuk po hiqen as pas shumë kohësh.

Situata në veriun e Kosovës ka shumë paradokse. Ani pse shumica e qytetarëve atje jetojnë në një situatë konfuze, incidente të sigurisë në atë pjesë nuk ka pasur më pak asnjëherë që nga hyrja e NATO-s në Kosovë. Por, nga ana tjetër, nuk ka qenë normale as fakti se në komuna ku serbët përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullatës, në krye të tyre të jenë shqiptarët. Kjo situatë megjithatë nuk ka qenë dëshirë e shqiptarëve, por pasojë e tërheqjes së serbëve nga strukturat e Kosovës. Vetë BE që nga fillimi e deri më sot këtë veprim të serbëve dhe të Beogradit, pasi dihet se ai është bërë me diktat nga Qeveria e Serbisë, e ka quajtur si “prapakthim më të rëndë në obligimet nga dialogu“.  Secilin hap të strukturave serbe dhe Beogradit në veri, daljen nga institucionet dhe bojkotimin e zgjedhjeve,  BE-ja e kishte dënuar.

Por, përderisa “dënimet“ ndaj Serbisë ishin vetëm verbale, ndaj Kosovës u vendosen sanksione të rënda, çfarë BE-ja nuk ka as për Gjeorgjinë, as për Serbinë, ndërkohë që sanksionet i ka hequr edhe ndaj Sirisë. Kështu veriu i Kosovës u bë shkaku kryesor i irritimeve më të mëdha të Qeverisë së Kosovës me Bashkimin Evropian, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. Në një moment edhe Shqipëria i shpalli sanksione Kosovës për shkak të veprimeve në veri duke u rreshtuar me “partnerët ndërkombëtarë”. Por edhe këto veprime ndërkombëtare ishin paradoksale, sepse në njërën anë thoshin se Kosova ka të drejtë për veprimet që i ka ndërmarrë, pasi edhe ata pajtohen se në Kosovë duhet të ekzistojnë vetëm autoritetet e shtetit të Kosovës, por, në anën tjetër, thoshin se “kjo nuk bëhet në këtë mënyrë të njëanshme“. E sa herë që u provua që diçka të bëhet me koordinim, nuk ndodhi. BE-ja pati rastin që me koordinim, për shembull, ta hapë urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë (e cila ka vetëm rëndësi simbolike), nuk e bëri një gjë të tillë. Nuk e bëri për inat. E Kosova, sikur për inat, ndërtoi dy ura të tjera pranë asaj, të cilën BE-ja nuk e hapi.

Tash situata në veri të Kosovës do të jetë sfidë për BE-në pasi është pikërisht veriu pika kyç e procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka dyshim se Serbia dëshiron ta shfrytëzojë veriun për ta sfiduar sovranitetin e Kosovës. Dhe nuk ka dyshim se ndaj serbëve në atë pjesë do të ushtrojë presionet e të gjitha llojeve. Këtë e di BE-ja më mirë se kushdo tjetër, ani pse e toleron me qëllim. Vetë BE në raportet e shumta ka konstatuar se vetëm në veri të Kosovës nuk ka pasur gara të barabarta zgjedhore, ka pasur frikësime dhe presione ndaj atyre që kanë kandiduar kundër Listës Serbe. E BE-ja, pasi ka bashkëvepruar gjithmonë me Qeverinë e Serbisë, direkt apo indirekt ka mbështetur Listën Serbe. E ky subjekt politik, në bashkëveprim me BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare, ka vepruar gjithmonë në kufi të ligjit duke ndërmarrë verime kundër Kosovës, por duke u kujdesuar që të evitojë ndalimin ligjor të veprimit të saj.

Tash duhet parë se si do të jetë sjellja e fituesve të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe me gjasa të mëdha edhe fitueses së shumicës së votave të serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. A do të punojnë  ata vërtet në interes të qytetarëve, të bashkëpunojnë me bashkësinë ndërkombëtare dhe autoritete qendrore në Kosovë, apo do të veprojnë me telekomandë nga Beogradi, të gatshëm edhe të ndërmarrin veprime të dhunshme nëse një gjë e tillë u sugjerohet nga autoritetet e Serbisë.

Serbët e kanë një fjalë shumë të duhur për këtë situatë: “Ajde da se ne lažemo“ (Le të mos gënjehemi). Kjo duhet të vlejë për të rikujtuar se në kohën para largimit të serbëve nga pushteti lokal, nga policia dhe gjykatat në veri, kishte djegie veturash, sulme fizike dhe frikësim të kundërshtarëve politikë. Vepronin edhe strukturat paralele, përfshirë edhe ato paramilitare. As tash BE-ja e as serbët e askush nuk duhet të harrojë se ka ndodhur Banjska, se kanë ndodhur sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, mediave dhe qytetarëve. Pasi BE-ja gjithmonë përsërit se “nuk mund të ketë justifikim për dhunë“, tash duhet të dëshmojë se vërtet e mendon këtë. Duhet të insistojë që edhe Beogradi, por edhe strukturat e pushtetit lokal në veri të ndikojnë në nxjerrjen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për aktet e dhunës e të cilët janë identifikuar. Ky është testi kryesor, i cili edhe do të determinojë nëse situata në veri, raportet ndëretnike dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të shkojnë drejt normalitetit apo jo.

Pasi BE-ja e sanksionoi aq shumë Kosovën për shkak të veprimeve në veri, pasi tash vlerëson se “po kthehet normaliteti“ me kthimin e Listës Serbe në pushtet lokal, tash e ka radhën të dëshmohet edhe vetë. BE-ja ose do të ndryshojë sjelljen e saj, ose do të dështojë në veri e përmes kësaj ta fundosë përfundimisht dialogun. BE-ja tash duhet të dëshmohet se a dëshiron vërtet normalizimin e raporteve, integrimin e serbëve në strukturat e Kosovës ku do t’i realizojnë të drejtat e tyre, apo do të shërbejë si mbrojtëse e iluzionit për sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. BE-ja duhet që në veprimin e parë destruktiv nga Beogradi, përfaqësuese e së cilës është Lista Serbe, të veprojë me vendosmëri. Nëse do të luajë lojën se Kosova edhe është, edhe nuk është shtet, se në Kosovë mund të funksionojnë strukturat paralele, jo vetëm se do të dëmtojnë të ardhmen e dialogut, por edhe ato pak rezultate që thonë se janë arritur deri më tash në të.

Në këtë situatë jo edhe aq normale në botë të gjithë në Kosovë dhe rreth saj kanë nevojë për normalitet. Për këtë më së shumti kanë nevojë edhe serbët që jetojnë në veri të Kosovës, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Ka nevojë edhe Kosova dhe ka nevojë edhe BE-ja. Kur BE-ja dëshmon dobësitë e saja të skajshme në skenën globale, ajo së paku duhet të dëshmohet se mund të bëjë diçka në oborrin e saj në Ballkan e sidomos në Kosovë. Fajësimi i njërës palë apo i të dyja palëve për secilin dështim apo mungesë të progresit nuk duhet të jetë më justifikim i BE-së për dështimet e saja.  / KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit