Çdo vend që synon zhvillim të qëndrueshëm, integrim europian dhe standarde moderne qeverisjeje ka një detyrim të panegociueshëm: respektimin e rregullave, transparencën e plotë dhe menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike. Shqipëria nuk mund të jetë përjashtim. Përkundrazi, për shkak të dobësive institucionale, historikut të abuzimeve dhe mosbesimit të qytetarëve, ne kemi edhe më shumë arsye të jemi rigorozë dhe të kujdesshëm në çdo hap që lidhet me financat e shtetit.
Pikërisht për këtë arsye, nisma e qeverisë për të miratuar të ashtuquajturën “paqja fiskale”, një falje masive e detyrimeve të papaguara për një periudhë gati 10- vjeçare, ka ndezur një debat të domosdoshëm dhe të dobishëm publik. Debati nuk lidhet vetëm me efektet fiskale të kësaj mase, por para së gjithash, me rrezikun institucional të fshehjes së listës së përfituesve, gjë që bie në kundërshtim me frymën dhe parimet e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe të praktikave europiane të administrimit të parasë së taksapaguesve. Neni 3 i Ligjit nr. 9936, “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, është më shumë se një dispozitë teknike.
Ai përcakton filozofinë e të gjithë sistemit financiar publik shqiptar: parimshmërinë, transparencën, përgjegjshmërinë dhe qëndrueshmërinë fiskale. Këto parime nuk janë dekorim juridik, ato janë garancia që administrata nuk vepron sipas dëshirës, por sipas ligjit dhe interesit publik. Çdo devijim nga këto parime krijon një precedent që dëmton (i) shtetin; (ii) ul besimin e qytetarëve dhe (iii) forcon kulturën e pandëshkueshmërisë, e cila ka kushtuar shumë ekonomisë dhe demokracisë sonë. Për këtë arsye, kërkesa për publikimin e listës së përfituesve nga falja fiskale nuk është retorikë opozitare. Është një detyrim ligjor dhe moral, është mbrojtje e interesit të qytetarëve, është garanci kundër korrupsionit dhe klientelizmit. Pyetja kritike është falja/paqja fiskale – mjet administrativ apo shpërblim për mospaguesit.
Në teori, faljet fiskale përdoren për të pastruar bilancet, për të lehtësuar barrën mbi bizneset në vështirësi dhe për të rifilluar një marrëdhënie të shëndetshme midis administratës dhe taksapaguesve. Por në praktikën shqiptare ato shpesh janë shndërruar në sinjale të rrezikshme: kush nuk paguan, përfiton; kush respekton rregullat, trajtohet si i humbur. Ky është një mesazh i gabuar; ekonomikisht, i dëmshëm moralisht dhe i papranueshëm politikisht. Nëse një qeveri kërkon të falë detyrime të grumbulluara për gati gjatë dhjetë viteve, ajo duhet të provojë se ky vendim shërben interesin publik, jo interesat e grupeve të caktuara pranë pushtetit. E vetmja mënyrë për ta provuar këtë është transparenca totale e listës së përfituesve. Një vend që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian nuk mund të fshihet pas parullave të përgjithshme dhe justifikimeve teknike. Standardet e BE-së janë të qarta: çdo masë që prek financat publike duhet të jetë; (i) transparente;(ii) e kontrollueshme dhe (iii) e aksesueshme nga publiku. Shqipëria nuk mund të kërkojë që ta pranojnë si pjesë të familjes europiane, ndërkohë që brenda vendit aplikon praktika të cilat Europa i konsideron të papranueshme. Qeveria ka të drejtë të propozojë politika fiskale. Ministri i Financave ka detyrimin t’i shpjegojë ato dhe t’i mbrojë.
Por askush nuk ka të drejtë të fshehë informacion nga publiku kur bëhet fjalë për financat e shtetit. Argumenti se publikimi i listës bie ndesh me të dhënat personale nuk qëndron. Këtu nuk kemi të bëjmë me të dhëna të shëndetit apo jetës private. Kemi të bëjmë me detyrime të papaguara ndaj shtetit, të cilat, për shkak se po falen me vendim politik, bëhen automatikisht çështje publike. Në të gjithë vendet europiane ku janë bërë falje të ngjashme, listat janë publikuar, sepse taksat dhe detyrimet publike nuk janë çështje personale – ato janë çështje të interesit kolektiv. Mbajtja e fshehtë e listës së përfituesve është një thyerje e rëndë e parimit të transparencës dhe krijon dyshime të forta se mos vallë ky proces po përdoret për të shpërblyer klientelën politike apo ekonomike.
Në vendet me demokraci hibride rreziku i kapjes së shtetit është shumë i lartë. Shpesh masa të tilla analizohen vetëm për ndikimin financiar: sa do humbasë buxheti? Sa do përfitojë ekonomia? Por rreziku më i madh nuk është financiar, është institucional. Kur qeveria merr vendime që favorizojnë në mënyrë të njëanshme kategori të caktuara pa transparencë, ajo forcon perceptimin e një shteti të kapur nga interesa private. Ky është rreziku real që e ka penguar Shqipërinë të avancojë më shpejt drejt standardeve europiane të qeverisjes. Një vend me institucione të dobëta ka nevojë për dyfish transparencë, jo për fshehje. Ka nevojë për rregulla më të forta, jo për përjashtime. Ka nevojë për një kulturë të respektimit të ligjit, jo për sinjale se ligji mund të anashkalohet.
Në rastin e faljeve biznesi i ndershëm është humbësi i më i madh. Në çdo debat për faljet fiskale, shpesh harrohet një kategori shumë e rëndësishme: biznesi i ndershëm, ai që ka paguar taksat në kohë, që ka respektuar ligjin dhe që nuk ka kërkuar favore. Ky biznes është sot “humbësi i heshtur” i çdo faljeje. Ai sheh se përfiton ai që nuk paguan, ndërsa ai vetë mbetet i penalizuar. Kjo jo vetëm që dëmton konkurrencën, por ul moralin fiskal, ul gatishmërinë për të paguar taksat dhe çdo detyrim ndaj buxhetit dhe e minon të gjithë sistemin e rregullave.
Një qeveri që pretendon të mbështesë sipërmarrjen duhet të fillojë pikërisht nga mbrojtja e sipërmarrjes së ndershme, jo nga shpërblimi i atyre që e kanë shpërfillur ligjin për vite të tëra. Shqipëria ka nevojë për reformë në administrimin fiskal, jo për falje selektive Në vend të faljeve periodike, Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë të administrimit fiskal dhe tatimor: për uljen e informalitetit; për përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave; për dixhitalizim të plotë; për monitorim real-time të transaksioneve dhe qarkullimit; për rritjen e aftësive profesionale të administratës.
Paqja fiskale nuk adreson asnjë prej këtyre problemeve. Ajo thjesht shtyn përpara një barrë dhe krijon një precedent edhe më të rrezikshëm: pritja e faljes së radhës. Pa transparencë nuk ka besim; pa besim nuk ka mirëqeverisje. Debati për faljen fiskale nuk është thjesht debat teknik. Është test i standardeve të qeverisjes. Është provë për seriozitetin e institucioneve. Është një tregues i qartë nëse Shqipëria po ecën drejt BE-së apo po kthehet pas në praktika që Europa i ka lënë historisë. Transparenca nuk është kërcënim për qeverinë; është mbrojtje për shtetin. Askush nuk duhet të ketë frikë nga drita. Dhe nëse ne duam të ndërtojmë një shtet të besueshëm, të drejtë dhe europian, duhet të fillojmë nga gjëja më e thjeshtë: t’u tregojmë qytetarëve të vërtetën dhe t’i mbrojmë paratë e tyre.









