Dalin detaje të reja, të zbardhura nga hetimet e nisura në Spanjë për zhdukjen e Miklovan Dakajt, të riut nga Shkodra i cili rezulton i humbur prej 12 majit të këtij viti.
Pjesë nga dokumentari
Zhdukja e Miklovan Dakajt
Ajo e tij është historia e një tjetër shqiptari që në rrethana të çuditshme humbi gjurmët në shtetin spanjoll.
Madje çuditërisht në të njëjtin rajon të gadishullit iberik, ku janë zhdukur edhe shumë shqiptarë të tjerë.
Ose në atë të quajtur tashmë ndryshe si Bermuda spanjolle e shqiptarëve, që nisen këtu me pushime dhe askush më tej nuk di asgjë rreth fatit të tyre.
Një fat i ngjashëm ky me Tauland Malshin nga Lezha, i cili u zhduk në mënyrë të mistershme në vitin 2018, në një qytet pranë Malagas, për të mos u kthyer më pranë familjes.
Apo ai i pilotit të Forcave Ajrore Shqiptare, majorit Sokol Feka, që humbi jetën pikërisht në këtë rajon në vitin 2015 teksa sipas autoriteteve spanjolle po transportonte kokainë me mjetin fluturues.
Fate të paracaktuara të cilat duket se lidhen në një pikë me atë të Miklovan Dakaj. Shkodrani që prej muajit maj të këtij viti i mungon familjes, pasi u zhduk në rrethana të paqarta pikërisht në të njëjtin rajon të Spanjës me paraardhësit e tij, po kaq fatkeq.
Një trekëndësh Bermude në mbretërinë e Spanjës që lidh Malagën-shqiptarët dhe drogën që duket se po ha shumë koka të rinjsh shqiptarë.
Të cilët në ëndrrën për t’u pasuruar sa më shpejt bien pre e grupeve mizore kriminale të narkotrafikut, të cilët kanë gjetur pikërisht këtë pjesë me rëndësi strategjike që lidh gadishullin iberik me Marokun për të kryer transportin e tonelatave me drogë.
Suksesi dhe dështimi i kalimit të tyre përmes kësaj ure detare dhe ajrore, që ka përcaktuar në një farë mënyrë edhe fatin e shqiptarëve të përfshirë në të tilla punë.
Organizata kriminale të drejtuara nga krerët më të egër dhe famëkeq të narkotrafikut, të cilët bashkëpunojnë me shqiptarë, që nuk e kanë për gjë të tradhtojnë edhe gjakun e tyre, kur flitet për përfitimet që vijnë nga droga.
Fat që mesaduket e ka shoqëruar edhe Miklovan Dakaj. Kontakti i fundit i të cilit me familjen ishte më datë 12 Maj 2025 në qytetin e Marbellos në Malaga.
Aty ku ai kishte disa kohë që po qëndronte me bashkëshorten e tij shqiptaro-italiane dhe fëmijën e tyre vetëm disa muajsh. Denoncimi i parë në policinë shqiptare për humbjen e të birit që erdhi nga babai i tij, Pal Dakaj. Gati 3 javë pasi Mikovani kishte humbur çdo kontakt me ta dhe gruan.
Pal Dakaj që priti me kot që i biri të kthehej pranë familjes dhe në ankthin e ditëve që po kalonin dhe nuk kishte asgjë gjurmë prej tij, ai udhëtoi nga Italia ku ishte zhvendosur për arsye shëndetësore, bashkë me gruan dhe djalin tjetër dhe denoncoi zhdukjen e Miklovanit në policinë e Shkodrës.
Me shpresën se ndoshta autoritetet mund ta ndihmonin të binte ne kontakt me djalin. Një shpresë që rezultoi e kotë, pasi Miklovani jo vetëm nuk u kthye në gjirin familjar, por as nuk dërgoi qoftë edhe një mesazh nëse ishte mirë me shëndet.
Familja e Miklovanit që ishte informuar për moskthimin e tij në banesë në qytetin e Marbellos në Malaga, që më datë 13 Maj.
Pra pa u mbushur 24 orë nga largimi i tij. Njoftim që sipas dëshmisë së dhënë nga Pal Dakaj, ishte bërë nga bashkëshortja e djalit të tij. Por mesa duket përpara se t’i drejtoheshin policisë, ata kishin vendosur që do kishte qenë më mirë të prisnin.
Me mendimin se dikush do t’u sillte një mesazh, qoftë edhe nga ata që kishin gisht në zhdukjen e djalit të tyre.
Pal Dakaj, 5 Qershor 2025: ‘Jam paraqitur në komisariat për të kallëzuar humbjen e djalit tim Miklovan Dakaj. Më datë 13 maj 2025 rreth orës 10:00 paradite, nusja e djalit tim që ndodhet ne Spanjë bashkë me vajzën, ka marrë në telefon bashkëshorten time dhe i ka thënë se Miklovani nuk është kthyer në shtëpinë ku rrinin në qytezën e Marbellos, në Malaga, Spanjë.’
Sipas të thënave të nuses së djalit, koha kur Miklovani kishte lënë banesën për të mos u kthyer më aty, kishte qenë pasdreka e datës 12 Maj.
Ai nuk kishte shprehur asnjë shqetësim gjatë largimit të tij. Përvetëm faktin që do takonte një shok dhe do kthehej shpejt në banesë. Por ndërsa orët kaluan dhe po kështu edhe mbrëmja, mëngjesi i së nesërmes nuk e pa atë pranë familjes.
Çka ngriti alarmin te bashkëshortja e tij.
E cila gjithmonë sipas rrëfimit që ajo kishte bërë te prindërit e Miklovanit, ishte çuar dhe kishte bërë denoncim në rajonin e policisë në Marbello, pas humbjen së kontakteve me bashkëshortin e saj.
Pal Dakaj: ‘Nusja e djalit, i tha bashkëshortes sime se Miklovani nuk ishte kthyer në banesën e tyre të marrë me qira në qytetin e Marbellos, që nga darka e datës 12 Maj. Për këtë arsye ajo kishte bërë denoncim te autoritetet spanjolle të qytetit Marbello, në Spanjë. Përsa i përket rrethanave se si Miklovani ishte larguar nga banesa, nusja e djalit na rrëfeu se drekën e datës 12 Maj ata kishin qenë për t’i bërë vaksinën vajzës së tyre të vogël, që është 8-muajshe.
Pasi u kthye në banesë, ata kishin konsumuar drekë jashtë dhe kur janë kthyer në banesë, Miklovani i kishte thënë se do të vinte më vonë në shtëpi, pasi do takonte një shok, për të pirë kafe.’
Por Miklovani nuk i kishte treguar bashkëshortes për emrin e shokut që do takonte. As për bisedën që ata do të zhvillonin me njëri-tjetrin. Por ishte mjaftuar duke i thënë se ishte vetëm një kafe shoqërore.
Drekë e cila do të ishte e fundit midis tyre, pasi që nga ky moment ajo nuk u pa më me bashkëshortin e saj. Ndërsa ajo u kthye e vetme në banesë bashkë me vajzën disa muajshe.
Miklovan Dakaj dhe bashkëshortja e tij T. M, që sipas rrëfimit të bërë në polici nga babai i tij, kishin dy vite që jetonin në Spanjë
Pal Dakaj: ‘Nusja e djalit tim quhet T.M dhe ajo ka shtetësi italiane. Ajo bashkëjetonte me djalin tim Miklovanin prej vitesh. Gjatë bisedave që kam bërë me të ajo nuk më ka treguar që Miklovani të kishte shqetësime.’
Por ndërsa familja qoftë ajo në Spanjë, por edhe ajo e prindërve në Shkodër, nuk raportoi për ndonjë shqetësim që Miklovani u kishte sjellë, lajmi që do të pasonte mbi fatin e tij ngriti edhe njëherë shqetësimin te ta, se diçka e keqe i kishte ndodhur njeriut të tyre të afërm.
Ajo që ata ishin lutur përgjatë gjithë kohës, që të mos i kishte ndodhur. Sihariq i hidhur që u erdhi atyre vetëm disa ditë pasi ata kishin kallëzuar në polici humbjen e njeriut të tyre.
Nga një korrier që mesa duket po u përcillte mesazhin e personave të cilët kishin gisht në zhdukjen e papritur të Miklovanit.
Lajm që mbërriti në familjen Dakaj në Shkodër nga një person nga qyteti i Durrësit
Dëshmia
Pasi familja Dakaj mësoi mbi humbjen e djalit të tyre Miklovanit në qytetin e Marbellos në Spanjë, një person nga Durrësi është paraqitur pranë tyre, duke u thënë se ‘Miklovani është vrarë, mos e kërkoni,’
Por cila ishte jeta e Miklovan Dakaj, përtej atij që është përkushtimi familjar? Apo mbulesës së një babai shembullor që kujdeset për vajzën e tij. Përse ai ishte zhvendosur në Spanjë dhe pikërisht në zonën e Malagas.
Dhe a ka lidhje qëndrimi i tij aty, me përfshirjen në grupet kriminale që merren me narkotrafikun, që shfrytëzojnë pikërisht këtë zonë të Spanjës, për të kryer aktivitetin e tyre.
Përse familja ka dyshime se ai është vrarë dhe a lidhet kjo me të shkuarën e tij?
Kush janë miqtë që mund ta kenë tradhtuar dhe nxjerrë në pritë te grupet kriminale në zonë. Dhe a lidhet kjo me humbjen e ndonjë sasie droge, ku Miklovan Dakaj mund të jetë lënë peng dhe më pas është ekzekutuar nga këto grupe kriminale?
Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, Miklovan Dakaj, kishte një të shkuar jo shumë për t’u lavdëruar në raport me drejtësinë.
Ai thuhet se kishte kryer një dënim tre mujor në Itali, dhe ky është rekordi i vetëm penal që kishte me autoritetet ligjzbatuese. Por askush nuk di të thotë cila ishte arsyeja e ndalimit të tij nga drejtësia italiane.
Por ndërkohë që prisnin me ankth çdo lajm rreth fatit të tij, në muajin shtator familjarët e Miklovanit morën një lajm se një trup i pajetë, që dyshohet se mund të ishte i tij ndodhej në morgun e një spitali në Spanjë.
Arsye për të cilën autoritetet spanjolle, morën edhe një kampion të ADN-së së vëllait të tij si dhe të vajzës 8-muajshe.
Kjo me qëllim për të krahasuar ADN-në e trupit të pajetë që ndodhej në morg me atë të të afërmve të personit të zhdukur.
Ndërkohë që paralelisht me policinë spanjolle, një hetim për zhdukjen e Miklovan Dakaj nisi edhe nga policia shqiptare, pas kallëzimit të bërë në Shkodër nga familjarët e tij.









