Në aritmetikën e zakonshme të demokracisë, dështimi gërryen pushtetin, por Kosova e sotme po dëshmon se kur politika shndërrohet në mit logjika kapitullon para psikologjisë. Kosova ka pasur qeveri të dobëta më parë, por asnjë nuk ka ngritur kaq shumë pritshmëri për t’i shembur me kaq brutalitet, dhe asnjë kryeministër nuk ka bërë kaq shumë të kundërta nga ato që premtoi. Ai nuk ka shtyrë përpara projektin e bashkimit kombëtar; përkundrazi, është ftohur me Tiranën zyrtare (mbledhja e fundit mes dy qeverive u mbajt në qershor 2022). Nuk ka punuar për forcimin e sundimit të ligjit; përkundrazi, ka shkelur vetë Kushtetutën një dyzinë rastesh (ku spikasin tentativa për të shtrirë kontrollin ekzekutiv përtej kufijve kushtetues me tema si këshilli prokurorial, byroja e konfiskimit, këshillin e pavarur mbikqyrës, ligjin e çmimeve tavan, për zyrtarët publik, këshillin për media apo dy aktgjykimet e sivjetshme për shkeljet gjatë seancës konstituive të parlamentit) dhe njerëzit e tij më të afërt janë nën hetim për afera shumë-milionëshe.
Jo vetëm që nuk ndërtoi me paratë e buxhetit termocentralin e premtuar me thëngjill, por bllokoi edhe investimin amerikan, duke i shkaktuar vendit pagesë gjobe për prishje të njëanshme kontrate dhe duke e lënë Kosovën me çmime të papërballueshme dhe furnizim të paqëndrueshëm me rrymë. Investimet e huaja direkte kanë rënë në nivelin më të ulët dhe ato pak mjete që hyjnë janë kryesisht kursime të diasporës të varrosura në çimento ose të shpenzuara për mbijetesën e familjeve në Kosovë. Ndërkohë, çmimet kanë shpërthyer në nivele stratosferike duke e bërë jetën e qytetarëve gjithnjë e më të vështirë dhe duke nxitur mbi 250 mijë qytetarë (kryesisht të rinj) që të shkojnë e marrin rezidencë në BE 5 vitet e fundit.
Nëse gjykohet me gjakftohtësi, kjo qeverisje dhe ky subjekt politik duhej të ishin ndëshkuar në zgjedhjet e shkurtit. Po ashtu, pas tetë muajve bllokim të institucioneve shtetërore, natyrshëm duhej të kishin marrë një ndëshkim akoma më të rëndë në zgjedhjet lokale të tetorit. Mirëpo ndëshkimi prej dështimit nuk erdhi. Për shumë analistë ndërkombëtarë, është e pakuptueshme se si është e mundur që një vend që përjetoi çlirim nga NATO, që aspiron drejt BE-së dhe që mbështet përfundimisht orientimin euro-atlantik, të vazhdojë t’i japë mbështetje një lideri që është futur në sanksione nga BE-ja, që ka përplasur strategjikisht me Shtetet e Bashkuara, që ka humbur projekte madhore investimi si dhe që ka provokuar krizë pas krize ?!
As logjika, as analiza politike nuk japin dot përgjigje. Këtu hyn në lojë psikoanaliza, sepse reagimet e shoqërisë dalin nga shtresat më të thella të nënvetëdijes, aty ku politika pushon së qenuri racionale dhe kthehet në emocion, krenari, traumë dhe identitet. Ky fenomen i vendimmarrjes irracionale është trajtuar gjerësisht nga një literaturë e bollshme ndër-disiplinore akademike, e cila e analizon këtë dukuri në thellësi nga këndvështrime të ndryshme teorike.
Shpjegimi më i mirë vjen mbase nga Richard Thaler, nobelisti dhe babai i ekonomisë së sjelljes që sfidoi idenë klasike se njerëzit marrin vendime si “ qënie matematikore që peshojnë vetëm të ardhmen duke thënë se janë “qënie goxha emocionale” që ngelen peng të së kaluarës. A e ka quajtur këtë si kurthi i investimit të shkuar (Sunk Cost Fallacy) që shpjegon se njerëzit nuk marrin vendime vetëm duke patur parasysh të ardhmen, por edhe duke u nisur nga ajo çka kanë “paguar” në të kaluarën (qoshin këto para, energji, emocion). Ky iluzion shfaqet kur njerëzit vazhdojnë ta ndjekin një zgjedhje të gabuar jo sepse besojnë se do të sjellë rezultat në të ardhmen, por sepse e kanë të pamundur të pranojnë humbjen e asaj që kanë investuar në të kaluarën. Kjo “kosto e shkuar” bëhet një spirancë psikologjike që i lidh pas vendimit, edhe kur arsyeja dhe faktet thonë se ai vendim është dështim.
Thaler thekson se, në mënyrë racionale, do duhej të merreshin vetëm mbi ato që ndodhin tani e tutje, pra çfarë përfitojmë nëse vazhdojmë e çfarë humbim nëse ndalojmë? Por njerëzit nuk funksionojnë kështu. Ata pyesin veten: “Po ato që kam dhënë deri tani a do të shkojnë dëm?” Kjo pyetje e gabuar e zhvendos vendimmarrjen nga e ardhmja ( ku duhet të jetë) tek e kaluara, e cila nuk mund të ndryshohet.
Kjo logjikë shpjegon pse një pjesë e votuesve të Kurtit nuk reagojnë ndaj realitetit politik e ekonomik, edhe kur ky realitet është i dramatik dhe pa ekuivok.. Për ta, vota e vitit 2021 nuk ishte një akt rutinor demokratik ishte një investim moral, një projekt emocional, një premtim ndaj vetes se më në fund po vendosnin “njeriun e duhur” në krye të shtetit. Të tërhiqen sot nga ajo zgjedhje do të thotë të pranojnë se gjithçka që investuan ( shpresa, besimi, idealizmi, debatet me miq, përplasjet në rrjete sociale) ka shkuar kot. Sepse të heqësh dorë sot nga Kurti nuk do të thotë vetëm të pranosh një gabim politik, por të përballesh me humbjen e krenarisë, rrënimin e vetëbesimit.
Dhe këtu hyn në lojë një tjetër nobelist, Daniel Kahneman, me teorinë e tij të famshme mbi “urrejtjen ndaj humbjes”. Ai vërtetoi se njerëzit e përjetojnë humbjen psikologjikisht dy deri në tre herë më rëndë sesa përjetojnë fitimin. Me fjalë të tjera, dhimbja e të pranuarit “kam gabuar” është shumë më e madhe se çfarëdo lehtësimi që mund të sjellë korrigjimi i kursit. Në këtë kontekst, pranimi i gabimit politik nuk është një akt racional por një traumë e vogël personale.
Këtu shtohet edhe Festinger-i, babai i teorisë së disonancës kognitive, i cili na mëson se mendja njerëzore nuk e toleron dot kontradiktën mes asaj që ka besuar dikur dhe asaj që sheh sot. Kur faktet dhe besimet përplasen, nuk ndryshojmë dot lehtësisht besimin; ne ndryshojmë mënyrën si i lexojmë faktet. Që të mbrojë veten nga dhimbja e pranimit të gabimit, votuesi bën gjithçka për t’i shpëtuar asaj,relativizojmë, justifikon, sajon armiq, eksternalizon përgjegjësitë edhe kur faktet janë kokëforta.. Sepse, në fund të fundit, nuk është duke mbrojtur liderin , por po mbron imazhin e vetes që besoi te ai.
Kahneman shpjegon dimensionin emocional të humbjes ndërsa Festinger shpjegon mekanizmin mendor që na mbron prej saj. Së bashku, ata japin çelësin e enigmës pse shumë votues nuk tërhiqen nga një vendim edhe kur provat janë të pakundërshtueshme. Prandaj ata shmangin realitetin. Jo sepse nuk e shohin, por sepse pranimi i fakteve i detyron të përballen me një humbje që Kahneman-i e cilëson psikologjikisht të padurueshme. Dhe në momentin që e vërteta bëhet më e dhimbshme se gabimi, njeriu nuk zgjedh të vërtetën por vazhdimin e gabimit.
Jonathan Haidt e çon këtë më tej duke e vendosur në bazë emocionale me teorinë e “arsyetimit të motivuar” sipas së cilës njerëzit nuk kërkojnë të kuptojnë realitetin, por të mbrojnë bindjet që iu japin identitet moral; argumentet nuk iu shërbejnë për të ndryshuar mendje, por për të justifikuar atë që zemra ka zgjedhur paraprakisht, Me fjalë të tjera, nuk është logjika që udhëheq njeriun, por morali dhe identiteti; arsyetimi vjen pas emocioneve, për t’iu shërbyer atyre.
Por nuk mjafton me kaq. Këtij procesi i shtohet edhe ajo që Samuelson dhe Staw e quajnë “përshkallëzimi i angazhimit”. Në vend që dështimi ta zbusë bindjen, ai paradoksalisht ia përforcon. Sipas tyre sa më shumë provohet se një zgjedhje ka qenë e gabuar, aq më shumë njerëzit lidhen pas saj, duke shpresuar se një kthesë e vonuar do ta shpëtojë investimin e tyre emocional. Në këtë kuptim, dështimi nuk i largon votuesit nga lideri; përkundrazi, i detyron të investojnë edhe më shumë, sepse heqja dorë do të thoshte të pranonin humbjen që e kanë shtyrë me çdo kusht.
Dhe kur ky mekanizëm psikologjik bashkohet me dimensionin moral, krijohet një efekt edhe më i fortë që Zygmunt Bauman dhe Leonidas Donskis e kanë quajtur “verbëri morale”. Kjo është faza kur individi nuk gjykon më sipas rezultateve reale, por sipas nevojës për të ruajtur ndjenjën se ka zgjedhur anën e drejtë duke votuar Kurtin. Nëse pranimi i gabimit cenon jo vetëm logjikën, por edhe moralin, krenarinë dhe identitetin, atëherë njeriu orvatet që të gjejë çdo lloj justifikimi për të mos e pranuar. Faktet shndërrohen në kërcënime që rrezikojnë të shembin imazhin e vetes, kritikat përjetohen si fyerje personale që prekin dinjitetin, ndërsa dështimet interpretohen si sulme të jashtme dhe jo si pasojë e gabimit të bërë më përzgjedhjen e bërë..
Për të kuptuar këtë fenomen, duhet të kthehemi te origjina e mitit Kurti në ndërgjegjen publike. Ai nuk u shfaq si lider që premtonte administrim të qetë, profesional ose teknokratik por si mishërimi i revoltës dhe rezistencës. I burgosur gjatë regjimit serb, protagonist në protestat studentore, kritik i pakompromis i sistemit të pasluftës, ai e fitoi kapitalin e tij moral përmes simbolikës para se të hynte në pushtet. Max Weber, në konceptin e tij të “autoritetit karizmatik”, përshkruan pikërisht këtë lloj figure, një njeri që nuk fiton legjitimitet nga institucioni, por institucioni fiton legjitimitet prej tij. Një lider i tillë nuk ndiqet për shkak të përvojës administrative, vizionit apo performancës, por për shkak të mitit. Dhe miti ka një forcë që tejkalon racionalen sepse i shtyn votuesit të kapen pas shpresës së vjetër me një ngulm pothuaj religjioz.
Këtu duhet theksuar se toka ku lindi ky fenomen ka qenë jashtëzakonisht pjellore. Studiuesit e traumës kolektive, Daniel Bar-Tal dhe Vamik Volkan, flasin për një mekanizëm që e quajnë “trauma e zgjedhur” e që kanë të bëjnë plagë historike që shoqëritë nuk i shërojnë, por i kthejnë në pjesë të identitetit të tyre. Kur një popull ka përjetuar shtypje të gjatë, përçmim sistematik dhe dhunë të përsëritur, ai fillon të idealizojë figurat e rezistencës dhe të kërkojë modele morali të pakontestueshëm. Shoqëritë e tilla nuk zgjedhin liderë; ato kërkojnë figura që duken si shpëtimtarë, njerëz që nuk iu binden rregullave të politikës, por simbolikës së sakrificës. Këto shoqëri kërkojnë figura simbolike, pothuaj profetike, që mishërojnë qëndresën. Në këtë terren emocional të ngarkuar, një lider si Kurti nuk shihet thjesht si kryeministër, por projektohet si tribuni moral i një kombi të lënduar që përjeton padrejtësi të vazhdueshme, si mishërimi politik i një populli që ka mësuar të rezistojë më shumë sesa që të qeverisë.
Prandaj, kur Bashkimi Evropian sanksionon Kosovën, një pjesë e shoqërisë nuk sheh dështim diplomatik sheh konfirmim të martirizimit, provën se lideri i tyre mban “qëndrim parimor”. Ndërprerja e dialogut strategjik me SHBA-në, nuk përjetohet si alarm kombëtar, por si dëshmi se Kurti “nuk i nënshtrohet askujt”. Edhe kur investimet zhduken dhe çdo vit nga vendi ikën një popullsi sa një komunë e tërë, realiteti sërish nuk e ndryshon dot perceptimin: justifikimet shtohen, arsyetimet bëhen më të zëshme dhe miti vazhdon të ushqehet pikërisht nga këto dështime. Sepse miti, në momentin që është ndërtuar mbi traumën e zgjedhur, nuk ka nevojë për rezultate por ka nevojë për armiq. Dhe kështu, figura e Kurtit lartësohet jo për atë që bën, por për atë që përfaqëson; një popull që ndjehet ende i lënë jashtë dyerve të historisë, i përbuzur nga fuqitë, i tradhtuar nga aleatët, i rrezikuar nga fqinjtë. Në këtë imagjinatë kolektive, çdo kritikë ndaj tij nuk është kritikë politike por lexohet si sulm ndaj vetë narrativës së mbijetesës së Kosovës. Këtu është çasti kur miti nuk pasqyron realitetin por e gllabëron atë
Kur një shoqëri fillon të ngushëllohet me dështimet e veta, t’i kthejë në prova heroizmi dhe t’i interpretojë kritikat si tradhti, atëherë po përjeton pikërisht atë që Jan-Werner Müller e quan populizëm moralist. Ai shpjegon se në shoqëritë ku trauma historike përzihet me ndjenjën e viktimizimit, lideri populist shihet jo thjesht si një aktor politik, por si i vetmi përfaqësues legjitim i popullit të vërtetë. Kjo është qasja e famshme populiste ku populli është i pastër, elitat janë të korruptuara dhe lideri është zëri moral i popullit. Për pasojë çdo kritik është automatikisht armik i popullit. Në praktikë, kjo situatë prodhon një imunitet të frikshëm ndaj realitetit ku sa më shumë kritika të bëhen brenda vendit, aq më shumë forcohet besimi se lideri është i drejtë e pagabueshëm; sa më shumë shtohen paralajmërimet ndërkombëtare, aq më e thellë bëhet bindja se ai po “përndiqet” nga mbarë bota. Ndërkah shtimi i dështimet nuk lexohen si përgjegjësi e liderit, por një dëshmi se sa i fortë është komploti kundër tij. Në këtë logjikë, llogaridhënia zëvendësohet nga devotshmëria, faktet nga ndjesia e misionit, dhe politika nga rituali i besnikërisë, duke krijuar një realitet ku lideri nuk gjykohet për atë që bën, por për atë që simbolizon në mitologjinë e mbijetesës kolektive.
Ka edhe shumë studiues të tjerë që kanë treguar se njeriu shpesh sillet krejt joracionalisht në politikë si psh: Herbert Simon me idenë e “arsyes së kufizuar”, Robert Cialdini me psikologjinë e ndikimit, George Lakoff me mënyrën si kornizohen idetë, Paul Slovic me rolin e emocioneve, Irving Janis me mendimin në grup, apo Ernest Becker me nevojën për figura “shpëtimtare” që mbushin boshllëqet tona të frikës dhe pasigurisë. Nuk dua ta kthej këtë shkrim në një përmbledhje të pafund studimesh, por thelbi që i bashkon të gjithë këta autorë është i qartë: në politikë, njeriu nuk vendos me logjikë të ftohtë, si makinë llogaritëse por vendos me emocione, me identitet, me frikë, me shpresa dhe me mite që shpesh janë shumë më të forta se faktet.
Në fund të gjithë kësaj analize, bëhet e qartë se fenomeni Kurti nuk mund të kuptohet vetëm me kritika politike apo me renditje dështimesh qeverisëse. Kjo histori nuk është për një lider, por për arkitekturën e brishtë psikologjike të një shoqërie që ende nuk e ka metabolizuar të kaluarën e vet të dhimbshme. Autorët e sipërpërmendur vetëm sa na kujtojnë se fatkeqësisht shpesh politika nuk është luftë idesh, por luftë emocionesh. Vota për Kurtin buron tek shartimi mes traumave historike, pritshmërive të thyera, mekanizmave psikologjikë të vetëmbrojtjes dhe mitologjisë kolektive që mbijeton edhe kur realiteti e përgënjeshtron. Votuesit që e mbështesin ende Kurtin nuk e bëjnë këtë sepse nuk shohin dështimet e tij (i shohin, dhe madje i përjetojnë çdo ditë), por sepse pranimi i tyre do të nënkuptonte rrënimin e një identitet të tërë, të ndërtuar mbi shpresën, krenarinë dhe premtimin e një drejtësie të vonuar.
Në këtë pikë, kemi të bëjmë me psikologjinë e zhgënjimit kolektiv, ku njerëzit kapen fort pas mitit atëhere kur realiteti bëhet i padurueshëm. Dhe derisa të mësojmë t’i njohim dhe t’i shërojmë këto mekanizma psikologjikë, Kosova do të vazhdojë ta ngatërrojë udhëheqjen me shpresën, krizën me heroizmin dhe mitin me realitetin. Prandaj, po qe se shoqëria nuk çlirohet nga pesha e së kaluarës dhe nuk rimëkëmb vetëbesimin e humbur, miti do të vazhdojë të zëvendësojë realitetin dhe politika do të mbetet pasqyrë e traumave të kaluara dhe jo e aspiratave për të ardhmen që meritojmë.









