Partia e Lirisë ka depozituar 12 amendamente për Buxhetin e vitit 2026, duke kërkuar mbështetje më të madhe për qytetarët dhe sektorët që po përballen me pasiguri ekonomike.
Tedi Blushi, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, theksoi se buxheti i propozuar nga qeveria është antisocial dhe do të rëndojë më tej shtresat në nevojë, si pensionistët, bujqësinë dhe arsimin.
Fjala e plotë:
Jemi në këtë Konferencë të përbashkët shtypi për të prezantuar 12 amendamentet e Partisë së Lirisë për buxhetin antisocial të Qeverisë për vitin e ardhshëm, që thellon më tej varfërinë e qytetarëve dhe në veçanti të pensionistëve, sepse në vlerësimin tonë ky nuk është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e Shqipërisë dhe mjafton vetëm fakti që 70% e fondeve të alokuar do të shkojnë tek Ministria e Belinda Ballukut, por do të shkojnë për tu vjedhur dhe jo për shërbime dinjitoze ndaj qytetarëve.
Dhe mjafton kjo shpërndarje e pabarabartë dhe jo e drejtë e fondeve që shtresat më në nevojë edhe vitin e ardhshëm do të mbajnë mbi supe koston e rëndë të korrupsionit të përbindshëm të kësaj qeverie që prioritet të vetëm të saj madhor nuk ka interesin publik, por vetëm vjedhjen e taksave, të mundit, të gjakut dhe të sakrificave, mbi të cilat është ndërtuar dhe ky buxhet, por që për fat të keq ndodhet në duart e një qeverie të korruptuar deri në palcë.
Ndaj, në mbeshtetje të 5 prioriteteve madhore të Partisë së Lirisë për 4 milionë shqiptarë plus, ne kemi depozituar për miratim në Parlament këto 12 amendamente, që do të shqyrtohen nen për nen në seancën e nesërme Plenare dhe që në fokus të vetëm kanë rritjen e mbështetjes sociale dhe zbutjen e kostos së jetesës dhe të varfërisë për qytetarët dhe në veçanti për pensionistët, për shkak të rritjes galopante të çmimeve të ushqimeve, të ilaçeve, të karburantit dhe të taksave, si dhe amendamente që synojnë një mbështetje reale dhe të merituar për arsimin dhe të gjitha nivelet e tij, për kërkimin shkencor, për rritjen e pagave për pedagogët, si dhe alokimin e fondeve që meriton një nga sektorët më jetikë të ekonomisë së vendit dhe që 40% e fuqisë punëtore pikërisht punon në këtë sektor dhe i referohem këtu sektorit të Bujqësisë, i cili po përjeton, prej disa vitesh tanimë për fat të keq, një situate dramatike.
Por një mbështetje këto amendamente synojnë ti japin edhe sektorit të shëndetësisë, pa harruar mbështetjen për të papunët, për personat me aftësi të kufizuar dhe për të gjithë shtresat në nevojë.
Ndaj, Partia e Lirisë ka paraqitur 12 amendamente që sa më poshtë vijon:
Së pari, alokimin e një fondi prej 16.2 miliardë lekë për rritjen e pensioneve, në mënyrë që pensionistët vitin e ardhshëm të mos përfitojnë vetëm 60 lekë në ditë në qytet apo 20 lekë në ditë në fshat, por një rritje reale dhe të ndjeshme të pensioneve.
Amendamenti i dytë është alokimi i 15 miliardë lekë shtesë për sektorin e bujqësisë, që edhe vitin e ardhshëm rrezikon, për shkak të mos mbështetjes, vetëm për faj të vjedhjes dhe abuzimit edhe me fondet e IPARD-it që do tju mohohen shqiptarëve edhe vitin e ardhshëm dhe jo pak, por 112 milionë euro.
Ndaj në këto kushte ne propozojmë një rritje prej 15 miliardë lekësh për bujqësinë.
Propozojmë që për ndihmën ekonomike dhe për pagesat për paaftësinë dhe për papunësinë të ketë një shtesë fondi prej 7.5 miliardë lekësh.
Për sektorin e shëndetësisë propozojmë një shtesë në buxhet prej 7.5 miliardë lekësh.
Për arsimin e mesëm, 2 miliardë.
Për arsimin bazë, 2 miliardë shtesë.
Për arsimin universitar, 1.2 miliardë lekë shtesë.
Në total pra për arsimin një shtesë në Buxhetin e ardhshëm prej 5.2 miliardë lekësh.
Gjithashtu, për financimin e shkencës, Partia e Lirisë propozon një shtesë prej 2 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit dhe për çështjen në veçanti të shëndetësisë, të fokusuar kryesisht tek Onkologjiku, që është kthyer në fakt në një situatë vërtetë dramatike, në kufijtë e një krimi kundër njerëzimit.
Për ti dhënë fund mungesës së ilaçeve dhe faktit që qytetarët sot humbin jetën tek Onkologjiku vetëm për mungesën e barnave, Partia e Lirisë propozon një fond shtesë prej 2.5 miliardë lekësh.
Për zhvillimin e sportit, 1 miliardë lekë shtesë.
Për sigurinë ushqimore, 0.75 miliardë lekë shtesë dhe për fondin për dosjet që lidhen sigurisht me çështjen e sigurisë ushqimore, një shtesë prej 0.5 miliardë lekësh, pa harruar shkencën të cilën ne propozojmë të financohet me 2 miliardë lekë shtesë.
Më lejoni shkurtimisht që të prezantoj 3 amendamentet tona në mënyrë më të detajuar, konkretisht për mbështetjen për pensionistët, një kategori e cila aq shumë vuan sot koston e papërballueshme të jetesës, në kushtet e vështira në të cilat sot ndodhen pensionistët, në pamundësi për të paguar faturat e kripura të energjisë elektrike, në pamundësi për të blerë ilaçet dhe për të përballuar rritjen e pandalshme të çmimeve, për të cilat harxhojnë 40% të fondit të tyre.
Ne propozojmë qe nga 1 janari i vitit të ardhshëm, një rritje reale të pensioneve në masën e 6.8% dhe jo me 60 lekë në ditë në qytet dhe 20 lekë në ditë në fshat.
Një shtesë e cila do të ketë, sikundër e theksova, një ndikim në masën 16.2 miliardë lekë në Buxhetin e shtetit .
Për rritjen e ndihmës ekonomike, për paaftësinë dhe papunësinë , për shkak se qeveria vijon të mbajë një qëndrim përbuzës dhe nënvlerësues ndaj këtyre kategorive në nevojë, që gjithmonë edhe më shumë kanë nevojë për ndihmën e shtetit, por që ndihen të braktisur dhe jo vetëm kaq, por e kanë bërë situatën e tyre edhe më të dëshpëruar vitin e ardhshëm, ne propozojmë një rritje të ndihmës ekonomike në masën 7.5 miliardë lekë, që do të thotë një rritje në masën 20% mbi atë që ka planifikuar qeveria .
Si dhe do të prezantoj shkurtimisht edhe amendamentin tonë për bujqësinë.
Sikundër e theksova, është një nga sektorët më jetikë të ekonomisë së vendit, që zë gati 40% të fuqisë punëtore në vend, por që për fat të keq edhe vitin e ardhshëm planifikohet të ketë një mbështetje jo të drejtë dhe jo të merituar nga ana e qeverisë, që fondet për këtë sektor jetik do ti kalojë pikërisht te infrastruktura, do ti kalojë për ti vjedhur në ato rrugë, të cilat sikundër jemi dëshmitarë janë shembur si thasë kashte vetëm pak kohë më parë.
Investimi në këtë sektor jetik, në kushtet kur edhe fermerëve ju është mohuar ndihma nga fondet e IPARD-IPARD-it, do ta ndihmojmë këtë sektor dhe në veçanti fermerët shqiptarë për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme familjare, në masën prej 15 miliardë lekësh, çka reflekton edhe një prej prioriteteve madhore të Partisë së Lirisë.
Faleminderit!









