Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën arrestimin e 10 nga 14 personave të hetuar për trafik narkotikësh, ndaj të cilëve është caktuar masa e arrestit me burg nga Gjykata e Posaçme. Megjithëse SPAK bëri me dije vetëm të dhëna të shkurtuara të identitetit të të arrestuarve, mes tyre mësohet të jenë dhe Rexhep Rraja, djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja, si dhe dy të afërm të tyre.
Prerje 500-çe Euro, jelek antiplumb dhe Rolex! Brenda bazës së grupit Rraja
Rrahman Rraja u tërhoq nga politika në korrik të vitit 2023, pas publikimit të një videoje në të cilën familjarë të tij shfaqen duke rrahur me shkopinj bejsbolli dy qytetarë, pasi të dëmtuarit ishin ankuar në polici për shpërthimet e eksplozivëve në një gurore nën pronësinë e Rrajave.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar katër të dyshuar, të cilët nuk janë gjetur nga policia gjatë operacionit të së martës. Në njoftim sqarohet se tre prej personave kanë qenë të shpallur më parë në kërkim apo janë dënuar në mungesë për vepra penale të tjera.
Po ashtu, janë kryer kontrolle prej nga është bërë e mundur të sekuestrohen vlerat monetare prej 415 mijë euro; 7000 USD; 1 milion lekë; si dhe tre automjete; 11 aparate telefonash celularë; një armë zjarri model Glock me 9 fishekë; një jelek antiplumb; një palë dylbi; një orë Rolex, etj..
SPAK reagon për herë të parë: Si u godit grupi Rraja dhe çfarë gjetëm
Sipas SPAK, nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se personat e dyshuar janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian.
Gjatë veprimtarisë së tyre të paligjshme, të dyshuarit kanë komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”, prej nga janë sigguruar prova për trafikun e narkotikëve.
Të hetuarit akuzohen për trafikimin në nëntor të vitit 2020 të 1722 kg marijuanë nga Shqipëria drejt Malit të Zi, ku dhe është sekuestruar lënda narkotike që ka pasur si destinacion përfundimtar Gjermaninë.
Po në atë periudhë, në Holandë është sekuestruar një sasi prej 475 kg kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen. Në janar të vitit 2021, janë sekuestruar në Turqi 236 kg marijuanë, e dërguar nga Shqipëria. SPAK thekson në njoftim se po vijon hetimet për aktivitetin e grupit./Birn









