SPAK ka goditur sot një grup kriminal të Rrajave në Fushë-Krujë ndërsa eksperti i kriminalistikës, Ervin karamuço, u shpreh se tre prej anëtarëve të grupit janë arratisur drejt Dubait.
“Edhe vetë SPAK doli në deklaratë për këtë operacion. Në 24 orët e fundit, forcat operacionale dhe të ndërhyrjes së shpejtë kishin filluar lëvizjet, që tregonte një operacion të madh. Sot u finalizua me 13 urdhra arresti; tre persona dyshohet se janë larguar drejt Dubait, ndërsa 10 urdhra u ekzekutuan.
Ne e kemi thënë prej kohësh se zona e Fushë Krujës dhe Malësisë së Krujës, krahas vrasjeve me pagesë, ishte përfshirë në kultivimin e Cannabis sativa. Ky grup dyshohet se dërgonte drogë në vende të ndryshme të Evropës dhe shpërndante kokainë përmes linjave të tjera.
Grupi është i gjeneratës së dytë, i fuqizuar dhe i sofistikuar. Aktiviteti i tyre thuhet se shtrihej në disa vende të Evropës dhe lidhej edhe me Amerikën Latine. Hetimet u koordinuan me Turqinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera përmes informacionit nga SkyECC. Dy ose tre elementë të grupit dyshohet se janë me rrezikshmëri të lartë dhe janë larguar drejt Emirateve”, tha Karamuço.









