Kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho, tha se pika e tij e fortë është përvoja e gjatë në hetimet kundër korrupsionit. “Kam pasur qetësinë dhe maturinë e duhur njerëzore dhe procedurale. Si pikë të dobët, prokuroria nuk ka qenë më herët si është sot. Edhe ne nuk kemi qenë gati apo të mësuar për komunikimin publik. Këtu ka vend për përmirësim”, tha Braho teksa i përgjigjej pyetjeve të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Për pikën e dobët tha se ka komunikimin me median dhe publikun.
Foli për dosjet që ka hetuar. “Kam ndjekur hetime për zyrtarë të lartë, për persona me ndikim në media dhe jetën publike. Në funksion të imazhit publik, kam qenë pedagog dhe kam marrë pjesë si ekspert në trajnimet e Shkollës së Magjistraturës. Për shkak edhe të funksionit kam qenë disa herë në raportimet e SPAK para këshillit. Është proces i nevojshëm, i frytshëm. Shpesh herë bisedimet kanë qenë të vlefshëm. Nuk shoh problematikë prokurori e posaçme KLP. Është marrëdhënie e shëndoshë”, tha ai.
“Sa i përket planit të organizimit e kam ndarë në disa pika: Nëse do të jem drejtues do të marr masat për ndjekjen e strategjive aktuale. Sa i përket ushtrimit të ndjekjes penale, garantoj zbatimin e parimit të barazisë, do të kryej veprime të nevojshme për të mbrojtur pavarësinë e prokurorëve të posaçëm, do të mbështes prokurorët në ushtrimin e detyrës, ne rast ngarkese do të procedohet me krijimin e grupeve hetimore, vendimet e prokurorëve nuk janë personale por janë qëndrime të institucionit. Ka nevojë për krijimin e një sektori për analizën e informacionit dhe përshtatja me sektorë të ngjashëm në vendet e tjera”, tha ai.









