Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së mori një vëmendje më të madhe ndërkombëtare se në të shkuarën. Ajo është një raport presidencial për Kongresin që përshkruan vizionin, interesat, qëllimet dhe politikat e SHBA-së për sigurinë kombëtare, duke detajuar se si të përdoren instrumentet e fuqisë kombëtare për të mbrojtur kombin, promovuar prosperitetin dhe ruajtur stabilitetin.
Nëse do të ishte produkt i një administrate amerikane tjetër, strategjia do të ishte temë e debatit kryesisht mes profesionistëve. Mirëpo, vëmendja e madhe vjen për shkak të faktit se ky dokument paraqet një ndryshim rrënjësor në riorientimin e politikës së jashtme të SHBA-së që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke përcaktuar një doktrinë të re të politikës së jashtme: “Amerika e Para”. Në një mënyrë a tjetër, strategjia konfirmon qëndrimet e mbajtuara nga administrata Trump gjatë këtij viti.
Strategjia e Sigurisë Kombëtare nuk ka të bëjë me vlerat. Nuk ka të bëjë me promovimin e demokracisë. As me mbrojtjen e parimeve që aleatët evropianë i kanë marrë si të mirëqena që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ajo ka të bëjë me projektimin e fuqisë dhe interesave amerikane. Projektimi i fuqisë bazohet në një premisë transaksionale që duhet t’u sjellë dobi amerikanëve dhe jo domosdoshmërisht parimeve që duhen ndjekur për përmbushjen e objektivit. Në të njëjtën kohë, strategjia na kujton se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ndryshojnë shumë nga marrëdhëniet njerëzore, ku jo gjithçka e çdo gjë vlen njësoj.
Strategjia përcakton parametrat e përgjithshëm se si administrata Trump e sheh botën duke u përqendruar në kërcënime dhe prioritete strategjike si aleancat, mbrojtja, tregtia dhe avantazhi teknologjik. Nga dokumenti del qartë se prioritetet e administratës Trump janë: (i) siguria kufitare, lufta kundër krimit ndërkombëtar me theks të veçantë ndaj narko-terrorizmit dhe karteleve të drogës; (ii) çimentimi i përparësisë amerikane në hemisferën perëndimore, duke riafirmuar “doktrinën Monroe”, sipas së cilës çdo ndërhyrje nga fuqi të tjera të huaja në politikat e kontinentit amerikan është një akt potencialisht armiqësor kundër SHBA-së; (iii) ballafaqimi me Kinën për të fituar të ardhmen ekonomike dhe parandaluar përballjen ushtarake, me theks të veçantë mbrojtjen e Tajvanit; (iv) ripërcaktimi i kushteve për stabilitet brenda Evropës dhe stabilitet strategjik me Rusinë; (v) paqja në Lindjen e Mesme, duke respektuar traditat, fetë dhe kulturat e tyre, për sa kohë që ato nuk kërcënojnë SHBA-në.
Mjedisi gjeopolitik asgjësues
Tërheqja apo racionalizimi i veprimit amerikan në botë nuk është një dukuri e re. Pas shkëlqimit në planin ndërkombëtar të Woodrow Wilson, SHBA-ja u tërhoq në njëfarë izolacionizmi gjatë viteve 1920-1930, duke refuzuar Lidhjen e Kombeve dhe duke miratuar akte të neutralitetit për të shmangur përfshirjet ndërkombëtare, të nxitura nga lodhja e luftës dhe depresioni ekonomik, deri në sulmin e papritur në Pearl Harbor në vitin 1941, që e detyroi SHBA-në të përfshihj në Luftën e Dytë Botërore.
Strategjia e Sigurisë Kombëtare paraqitet në një moment gjeopolitik asgjësues. Sipas SHBA-së, qasja ‘e njëjta madhësi u përshtatet të gjithëve anembanë botës’ nuk funksionon më. Në të vërtetë, ndryshimi në rrafshin botëror nuk është më teorik, teksa jemi dëshmitarë të fronteve kryesore të luftës në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, raportit të trazuar ndërmjet SHBA-së dhe Evropës, mungesës së një udhëheqjeje të fortë në nivel evropian, si rezultat i shkërmoqjes së qendrës demokratike, formësimit të aleancave alternative ndaj perëndimit nga vendet me një gjeografi dhe popullsi të konsiderueshme, dhe një arkitekturë ndërkombëtare më komplekse dhe konkurruese.
Strategjia synon të reflektojë deficitin e krijuar në raportin mes pushtetit dhe pritshmërive të opinionit publik. Shumica dërrmuese e amerikanëve nuk duan të paguajnë për politikën e jashtme dhe nuk mbështesin pozicionimin e SHBA-së si “zjarrëfikëse” të konflikteve në cepa të ndryshëm të botës.
Vjet amerikanët votuan për më pak politikë të jashtme, çka nuk përbën përjashtim nga zgjedhjet presidenciale gjatë dekadave të fundit. Në vitin 1992, amerikanët votuan për Clinton që vinte nga një eksperiencë modeste si guvernator i Arkansasit, e pakrahasueshme me atë të presidentit Bush, i cili ishte protagonist i rënies së Murit të Berlinit dhe ndryshimeve epokale. E njëjta gjë mund të thuhet për vitin 2000, kur amerikanët zgjodhën Bush përkundrejt Al Gore, një personalitet i angazhuar në marrëdhëniet ndërkombëtare teksa shërbente për dy mandate si zëvendës president; në vitin 2008, kur zgjodhën senatorin e ri Obama përkundrejt senatorit të sprovuar në arenën ndërkombëtare dhe veteranit të luftës McCain; apo në vitin 2016, kur zgjodhën Trump përkundrejt Clinton, që vinte pas eksperiencës si senatore e New York dhe më pas sekretare shteti.
E përbashkëta e presidentëve të sipërpërmendur është se janë zgjedhur mbi bazën e premtimit për një politikë të jashtme më të kufizuar, por që u përfshinë më shumë në politikën e jashtme gjatë ushtrimit të detyrës. Trump nuk përbën përjashtim nga ky rregull. Fakti që gjatë vitit të parë të këtij mandati presidencial, ai flet për ndryshimin e regjimit në Venezuelë, ndërhyrjen humanitare në Nigeri, ndërtimin e Gazës dhe nevojën për përfundimin e luftës në Evropë tregon se ai nuk i përket shkollës së ndërhyrjeve të kufizuara në politikën e jashtme. Përkundrazi! Ndaj, dilema kryesore për SHBA-në sot nuk është thjesht se çfarë nuk mund të bëjnë, por të shmangin atë që nuk mund ta bëjnë.
Karakteri i sigurisë evropiane
Strategjia e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së konfirmon një prirje të vënë re që nga koha e administratës Obama, sipas së cilës, SHBA-ja sheh Azinë si skenën qendrore, ndërsa Evropa nuk ka më të njëjtën rëndësi, qoftë strategjikisht apo kulturalisht për to. Eksperienca ime gjatë këtyre muajve në Universitetin e Harvardit ka qenë një surprizë në vetvete, për faktin se kontinenti ynë është pak në vëmendje krahasuar me Amerikën Latine, Indo-Paqësorin apo Lindjen e Mesme, edhe në botën e mendimit e jo veç atë të politikës. Horizontet strategjike të Indo-Paqësorit kanë fituar përparësi në raport me lidhjet transatlantike. Pavarësisht ndryshimit të administratave nga Biden te Trump dhe qasjeve të ndryshme që këto administrata kanë në raport me Evropën, duhet pranuar se amerikanët nuk ndihen në gjendje lufte me Rusinë, në dallim nga Evropa, ku pasojat e luftës janë evidente.
Strategjia, e cila i bën thirrje Evropës që të marrë “përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e vet, pa u dominuar nga ndonjë fuqi kundërshtare”, duhet lexuar edhe si një thirrje zgjimi. Për një kohë të gjatë Evropa ishte mësuar me ‘doktrinën Truman’, sipas së cilës amerikanët garantonin sigurinë në kontinent dhe ndihmonin tranzicionin demokratik në Evropë. Pas rënies së Murit të Berlinit, amerikanët u përfshinë në garantimin e sigurisë në kontinent, përfundimin e luftës në ish-Jugosllavi, dhe gjithashtu procesin e zgjerimit të NATO-s.
Për thuajse tetë dekada, politika e jashtme amerikane u formësua nga mendësia e Luftës së Ftohtë dhe pasojave të saj. Personalitete si Kissinger, Brzeziński, Albright, të cilët erdhën si refugjatë nga Evropa bashkë me historitë e tyre personale ndikuan në forcimin e lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Evropës, përgjatë formulimit dhe ekzekutimit të politikës së jashtme amerikane.
Sot realiteti demografik në SHBA është tjetër nga ai i Luftës së Ftohtë dhe periudhës që e pasoi atë. Është kjo arsyeja që për herë të parë Strategjia e Sigurisë Kombëtare shkaktoi hidhërim e tronditje mes botës së mendimit në Evropë, për shkak të gjuhës së drejtpërdrejtë, e në disa raste të ashpër ndaj projektit evropian. Thënë troç, SHBA-ja po kërkon që Evropa të mbikëqyrë pjesën e saj të botës. Dhe ç’është më e rëndësishmja, të paguajë vetë për të. Udhëheqësit amerikanë që nga koha e presidentit Kennedy në vitin 1963 kanë kërkuar më shumë nga Evropa për të ndarë barrën në NATO. Thirrje që janë injoruar sistematikisht nga Evropa. Administrata Trump dallon nga administratat e mëparshme, në këmbënguljen për ta bërë realitet një gjë të tillë.
Natyrisht dobësimi i marrëdhënieve euroatlantike nuk është një ogur i mirë për Evropën, ku SHBA-ja është konsideruar si garantues e perimetrit të sigurisë. Edhe më kritike paraqitet situata në rajonin tonë, ku ndërhyrja amerikane ka qenë vendimtare në ndalimin e gjenocidit dhe krimeve të luftës dhe në kushtet kur BE-ja ka dështuar të adresojë projektet e papërfunduara të shtetësisë. Dobësimi i marrëdhënieve euroatlantike nuk është një ogur i mirë as për SHBA-në, pasi Evropa është aleati natyral i tyre në ballafaqimin me fuqitë e tjera.
Insistimi ndaj Evropës për të “qëndruar në këmbët e veta” është treguesi kryesor i një ndarjeje me qasjen tradicionale të SHBA-së ndaj garantimit të mbrojtjes në kontinentin tonë. Por edhe në një klimë politike më miqësore, ndryshimet strukturore do të sfidonin besueshmërinë e angazhimeve të sigurisë së SHBA-së, ndërsa përgatiten për konkurrencë me dy fuqitë bërthamore, Kinën dhe Rusinë. Multipolariteti bërthamor në zhvillim e bën modelin e dikurshëm të mbrojtjes më të vështirë dhe më të rrezikshëm për t’u garantuar pambarimisht.
Strategjia e Sigurisë Kombëtare zbulon edhe një kundërshti të madhe midis këndvështrimit të Evropës për veten dhe vizionit të administratës Trump për të ardhmen e Evropës, teksa bëhet dallimi mes Evropës dhe Bashkimit Evropian, duke e kritikuar këtë të fundit si shkaktare të humbjes së karakterit të vërtetë e të dikurshëm të Evropës. Po në dokument bëhet një referencë e qartë për mbështetjen amerikane ndaj vendeve të Evropës Qendrore, Lindore e Jugore, duke ricikluar kategorizimin e ish- sekretarit amerikan të mbrojtjes, Donald Rumsfeld, për Evropën e “re” dhe të “vjetër”, gjatë ndërhyrjes amerikane në Irak, e cila nuk u mbështet nga aleatët evropianë si Franca dhe Gjermania.
Megjithatë, siç konfirmon vetë Strategjia e Sigurisë Kombëtare, qëllimi i saj është të ndihmojë Evropën për ta bërë atë më të fortë, për të parandaluar çdo kundërshtar që përpiqet të dominojë Evropën. Gjuha e drejtpërdrejtë duhet të shërbejë si mundësi për të forcuar karakterin e sigurisë evropiane.
Karakteri i sigurisë së ardhshme evropiane dhe marrëdhëniet me Rusinë do të përcaktohen nga mënyra se si përfundon lufta në Ukrainë. Evropa duhet të kombinojnë reflekset reaguese me nevojën për të pasur një plan të qartë për mënyrën se si duhet të përfundojë lufta e sotme dhe ndërtohet paqja e nesërme në kontinent. Evropa duhet të përshpejtojë procesin e ndërtimit të kapaciteteve të mbrojtjes. Pa shpejtësi, thjeshtëzim procedurash dhe vendosmëri politike, Evropa rrezikon të kthehet në një aktor të parëndësishëm gjeopolitik.
Për këtë, Evropës i nevojitet aleanca me SHBA-në, sidomos në fushën e inteligjencës dhe mbrojtjes nukleare. “Stabiliteti strategjik me Rusinë” që kërkohet nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare nuk mund të lexohet si një fitore e Rusisë në Evropë, çka do të kishte pasoja në planin afatgjatë edhe për vetë SHBA-në. Por duhet lexuar nën dritën konkluzioneve të Samitit të NATO-s në Hagë, të qershorit të këtij viti, ku Rusia konsiderohet si “kërcënim për sigurinë euroatlantike”.
Ndërkohë që dokumenti duhet të shqyrtohet në mënyrë kritike, është e rëndësishme të evitohen vlerësimet dogmatike. Për një kohë të gjatë kemi jetuar nën thundrën e “besimtarëve të tregut”, të cilët nuk pranonin asnjë kritikë ndaj magjisë së tregut dhe kapitalizmit. “Besimtarët liberalë” po shfaqin të njëjtat sinptoma si “besimtarët e tregut” dikur. Ata hedhin poshtë çdo ide të kundërt me botëkuptimin e tyre, pa qenë në gjendje të shqyrtojnë realitetin dhe alternativat në mënyrë kritike, të shoqëruar me mungesë mendësie të orientuar për nga suksesi. Duke harruar se në kohën që jetojmë politika e jashtme ngjan më shumë me sfidat e një atleti, me përgatitjen fizike që nevojitet, fitoret, rrëzimet e shtyrjet në kërkim të fitimit të garës, sesa me një ushtrim akademik, ku më i miri vlerësohet me notën më të lartë.
Në vend të predikimit të së djeshmes që nuk do të kthehet më ia vlen të paguhen kostot e duhura afatshkurtra për përfitimin afatgjatë të periudhës post Pax Americana në Evropë. Një Evropë më strategjike, me kapacitete të plota mbrojtëse, e aftë për të vepruar si e barabartë me fuqitë e tjera gjeopolitike.









