Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar mazhorancën për censurimin e opozitës dhe mohim të të drejtës së komunikimit me median.
Në një reagim të ashpër, Xhixho ka theksuar se, ndryshe nga regjimi autoritar i Putinit, qeveria e Edi Ramës ka shkuar deri në ekstrem duke i mohuar të drejtat e fjalës dhe komunikimit ish-presidentit Ilir Meta.
Ajo ka krahasuar këtë situatë me atë të Kremlinit, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të quhet “Shqipëri Europiane” kur shkeljen e të drejtave të njeriut e ka në themel pushteti i tanishëm.
“Në Rusi, Putin nuk ia hoqi Navalnyt lirinë e shprehjes. Denoncimet e tij për kushtet në burg dhe kritikat ndaj regjimit autoritar të Putinit arritën pa pengesë te miliona rusë. Në Shqipëri ndodh e kundërta me ish-presidentin Ilir Meta, të cilit i është mohuar tërësisht e drejta për të komunikuar me median. Çdo përpjekje për të folur është ndëshkuar, çdo fjalë e tij është censuruar me urdhër të Edi Ramës. Ky është një regjim që nuk pranon kritika, dhe nëse duam të flasim për Shqipërinë Europiane, duhet të pranojmë se, në këtë moment, Tirana sillet më keq se Kremlini. Shqipëria nuk mund të quhet europiane, kur shkeljet ndaj të drejtave të njeriut janë pjesë e pushtetit të sotëm.”









