“Bankers Petroleum Albania” në një njoftim ka theksuar se aktiviteti prodhues dhe financiar i Kompanisë në impiantin e nxjerrjes së naftës në Patos-Marinëz është bllokuar në mënyrë arbitrare dhe në tejkalim të procedurave ligjore. Ky bllokim është bërë me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.
“Dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse të vendburimit të Patos-Marinzës, duke e çuar aktivitetin operativ të Kompanisë në kolaps të plotë. Preteksti i bllokimit është mos-pagesa e pretenduar e akcizës për holluesin e naftës, një produkt për të cilin, në fakt, nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së. Ky bllokim ka sjellë ndalimin e operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar rrezik shumë të lartë për mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, si dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e banorëve të zonës’, thuhet në reagim.
Gjithashtu kompania thotë se më këtë vendim e ka çuar aktivitetin operativ të Kompanisë në kolaps të plotë.
Nëpërmjet një shkrese zyrtare, AKBN ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave për të shmangur bllokimin e operacioneve të Kompanisë.
Njoftim për Shtyp
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, aktiviteti prodhues dhe financiar i Kompanisë në impiantin e nxjerrjes së naftës në Patos-Marinëz është bllokuar në mënyrë arbitrare dhe në tejkalim të procedurave ligjore, në kundërshtim me:
- Vendimin e Përkohshëm Nr. 3869/2, datë 17.07.2019, ende në fuqi
- Afatin 5-vjeçar të parashkrimit, neni 102 i Ligjit për Akcizat
- Nenit 11 dhe 51 të Ligjit për Akcizat
Dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse të vendburimit të Patos-Marinzës, duke e çuar aktivitetin operativ të Kompanisë në kolaps të plotë. Preteksti i bllokimit është mos-pagesa e pretenduar e akcizës për holluesin e naftës, një produkt për të cilin, në fakt, nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së.
Ky bllokim ka sjellë ndalimin e operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar rrezik shumë të lartë për mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, si dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e banorëve të zonës.
Institucionet teknike shtetërore përgjegjëse për hidrokarburet në Republikën e Shqipërisë (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore – AKBN), përmes një letre drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave, kanë sqaruar se:
“Procesi i nxjerrjes së naftës në vendburim duhet të zhvillohet me rrjedhje të vazhdueshme dhe të pandërprerë 24/7, pasi në të kundërt, nafta bruto e prodhuar nga ky vendburim, duke qenë shumë viskoze dhe e rëndë, nëse ftohet, ngurtësohet në tubacione dhe depozita, duke u bërë e papërdorshme. Për informacion: nafta bruto lëviz vetëm në gjendje të ngrohtë; nëse ftohet, ngrin dhe nuk lëviz më. Për më tepër, mungesa e kapaciteteve depozituese për një kohë të gjatë do të sjellë domosdoshmërisht ndërprerjen dhe ndaljen e vendburimit, së bashku me të gjitha pasojat e padëshiruara që lidhen me to.”
Nëpërmjet një shkrese zyrtare, AKBN ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave për të shmangur bllokimin e operacioneve të Kompanisë.
Ky bllokim i menjëhershëm i operacioneve sjell pasoja të pariparueshme për vazhdimësinë e menaxhimit të fushës naftëmbajtëse, pasi (përveç depozitave dhe tubacioneve) nëse ndalohet prodhimi i puseve të naftës, pjesa më e madhe e tyre nuk mund të rivihen më në punë, duke e dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme këtë pasuri të popullit shqiptar. Theksojmë se dëmi ekonomik i shkaktohet shumë më tepër shtetit shqiptar sesa BPAL-së, i cili është vetëm operator i këtij vendburimi dhe jo pronar i tij, ndërkohë që impakti i përgjithshëm është edhe më i madh.
420 punonjësit e BPAL-së dhe rreth 5.000 punonjës të kompanive nënkontraktore, ofruesve të shërbimeve dhe partnerëve të biznesit, përfshirë edhe rreth 1.300 punonjës të kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol sh.a. (e cila varet tërësisht nga prodhimi para-ekzistues që i dorëzon BPAL), rrezikojnë të mbeten pa punë. Po ashtu, rreth 12 kilometra tubacione nafte, depozita naftëmbajtëse, mbi 1.000 puse nafte, impiante përpunimi, etj. (investime të BPAL-së që janë në pronësi të shtetit shqiptar), të cilat duhet të mirëmbahen 24 orë në ditë, rrezikojnë të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme.
Këto veprime nuk prekin vetëm BPAL-në, por edhe një zinxhir të gjerë kompanish nënkontraktore që punojnë çdo ditë me BPAL-në dhe rrezikojnë të mbeten pa punë; pushtetin vendor, i cili përfiton taksa nga operacionet e BPAL-së; banorët e zonës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, jetët dhe pronat e të cilëve rrezikohen në rast incidentesh në fushën e naftës, e cila paraqet rrezikshmëri të lartë nëse operacionet bllokohen; financat e shtetit shqiptar; si dhe shumë të tjera. Gjithashtu, ekzistojnë rreziqe të larta mjedisore (HSE), përfshirë dëme dhe humbje në fushën naftëmbajtëse.
Shkaku i bllokimit të veprimtarisë së Kompanisë është taksimi me akcizë i holluesit, një çështje e diskutuar prej vitesh nga shteti shqiptar nëse Kompania duhet apo jo të paguajë akcizë për këtë produkt. Sqarojmë se holluesi është një lëndë e parë që përzihet me naftën e rëndë të Patos-Marinzës për të mundësuar nxjerrjen më të lehtë nga nëntoka dhe transportimin drejt rafinerive. Ky produkt injektohet në puse dhe nxirret i trupëzuar bashkë me naftën bruto nga nëntoka. Nëse kjo naftë do të konsumohej brenda vendit, do të ishte logjike të paguhej akciza për holluesin; por kjo naftë nuk konsumohet në vend, por eksportohet. Ky fakt certifikohet nga certifikime ndërkombëtare për çdo ngarkesë, të monitoruara 24 orë në ditë nga autoritetet shqiptare si Dogana Fier, AKBN, Albpetrol dhe ISHTI.
Për më tepër, Qeveria Shqiptare, me Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) Nr. 726, datë 12.11.2014 (VKM që miraton marrëveshjen e dytë ndryshuese me BPAL), ka përcaktuar se nëse BPAL paguan akcizë për holluesin, ajo konsiderohet kosto e rikuperueshme në masën 100%. Pra, në të dyja rastet, efekti ekonomik për shtetin shqiptar dhe BPAL-në është zero.









