Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një darkë me gazetarë dhe përfaqësues të mediave, ku shprehu mirënjohje për punën e tyre gjatë vitit.
Ai vlerësoi gazetarinë si një profesion me përgjegjësi të madhe, duke theksuar se gazetarët mbajnë një rol të rëndësishëm në informimin e publikut dhe qëndrojnë gjithmonë pranë ngjarjeve të rëndësishme.
“E konsideroj si takim festiv, meqenëse jemi në prag të mbylljes së vitit, por më shumë se sa një takim festiv, është një mirënjohje, një mirënjohje për çfare ju bëni përgjatë gjithë vitit. Në fakt, si çdo vit tjetër, ka qenë i pasur me ngjarje, nga ngjarjet rutinë, deri te ngjarjet dinamike, politike, që më mirë se ju, askush tjetër nuk i raporton.
Gjithmonë kam menduar se profesioni i mjekut është profesioni më i bukur në botë. Në fakt, jam gabuar, sepse, siç e thotë edhe shkrimtari i njohur kolumbian, Gabriel Garcia Márquez, “Gazetaria është profesioni më i bukur në botë”, sepse është një profesion i vështirë, me shumë sfida, por që ka një përgjegjësi shumë më të madhe se mjekët: mjekët përgjegjësinë e kanë me individin, ndërsa ju përgjegjësinë e keni me interesin publik. Dhe ju keni qenë prezent kudo për të raportuar, për të informuar.
Keni qenë në rrugë, keni qenë në institucione, kohë pa kohë, duke u përkushtuar dhe duke u angazhuar gjithmonë. Sot është dita për t’ju falënderuar për përkushtimin, për kontributin, dhe besoj se përgjegjësia e informimit për të vërtetën është ajo çfarë juve ju bën krenarë. Shumë faleminderit për punën dhe misionin tuaj”, tha Begaj.









