Raportet e inteligjencës amerikane vazhdojnë të sugjerojnë se qëllimi i Presidentit rus Vladimir Putin është të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe të rimarrë të gjitha pjesët e Evropës që dikur ishin pjesë e ish-perandorisë sovjetike, thanë gjashtë burime të njohura me raportet. Ky këndvështrim është mbizotërues pavarësisht negociatave të vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, të cilat nuk ka gjasa të plotësojnë aspiratat e Rusisë për territorin që kërkon të rimarrë.
Në të njëjtën kohë, pamja që del nga këto raporte është krejtësisht e ndryshme nga ajo e paraqitur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe negociatorët e tij të paqes në Ukrainë, të cilët argumentojnë se Putin dëshiron t’i japë fund konfliktit. Raporti më i fundit daton në fund të shtatorit, sipas njërit prej burimeve.
Vlerësimet e agjencive amerikane gjithashtu kundërshtojnë sigurimet e udhëheqësit rus se kjo nuk përbën kërcënim për Evropën.
Përfundime të qëndrueshme për tre vjet
Përfundimet e SHBA-së kanë mbetur të qëndrueshme që kur Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë në vitin 2022. Ato janë kryesisht në përputhje me pikëpamjet e udhëheqësve evropianë dhe agjencive të inteligjencës, sipas të cilave ai kërkon të kontrollojë të gjithë Ukrainën, si dhe territoret e vendeve të ish-bllokut sovjetik, përfshirë shtetet anëtare të NATO-s.
“Inteligjenca ka treguar gjithmonë se Putini dëshiron më shumë”, tha në një intervistë për Reuters përfaqësuesi Mike Quigley, një demokrat dhe anëtar i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve. “Evropianët janë të bindur për këtë. Polakët janë absolutisht të bindur. Vendet baltike besojnë se janë të parat”.
Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, duke përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut, të cilat përbëjnë zemrën industriale të Donbasit, pjesë të rajoneve të Zaporizhias dhe Khersonit, si dhe Krimenë, gadishullin me rëndësi strategjike në Detin e Zi.
Putini e konsideron Krimenë dhe katër rajonet si territor rus. Sipas dy burimeve me njohuri për çështjen, Trump po i bën presion Kievit që të tërheqë forcat e tij nga pjesa e vogël e Donetskut që ende e kontrollon, si pjesë e një marrëveshjeje të propozuar paqeje – një kërkesë e refuzuar nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe shumica e ukrainasve.
“Ekipi i presidentit ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në përfundimin e luftës” dhe Trump ka thënë se një marrëveshje paqeje “është më afër se kurrë”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, pa komentuar mbi raportet e inteligjencës.
Progresi në garancitë e sigurisë
Negociatorët e Trumpit — dhëndri i tij, Jared Kushner, dhe investitori miliarder i pasurive të paluajtshme Steve Witkoff — kanë negociuar një plan paqeje prej 20 pikash me zyrtarë ukrainas, rusë dhe evropianë për javë të tëra.
Edhe pse zyrtarët amerikanë deklarojnë se është bërë përparim, mbeten mosmarrëveshje serioze, kryesisht për çështjen territoriale.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, Kushner dhe Witkoff u takuan me negociatorët ukrainas në Miami të premten dhe ishin planifikuar të zhvillonin bisedime me përfaqësuesit rusë gjatë fundjavës.
Negociatorët amerikanë, ukrainas dhe evropianë arritën një marrëveshje të gjerë mbi garanci të forta sigurie për Ukrainën, të mbështetura nga SHBA-të, në bisedimet në Berlin të hënën, sipas katër diplomatëve evropianë dhe dy burimeve me njohuri mbi diskutimet.
Një burim dhe një diplomat thanë se garancitë lidheshin me lëshimin e territorit nga Zelensky ndaj Rusisë. Megjithatë, diplomatë të tjerë theksuan se nuk ishte marrë asnjë vendim dhe se po shqyrtoheshin alternativa, pasi presidenti ukrainas ka përjashtuar çdo lëshim territorial.
Diplomatët vunë në dukje se garancitë, të cilat do të hyjnë në fuqi pas nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje, parashikojnë vendosjen e një force sigurie kryesisht evropiane në vendet fqinje dhe në zona të Ukrainës larg vijave të frontit, me qëllim pengimin e një sulmi të ardhshëm rus.
Sipas një burimi, forcat e armatosura ukrainase do të kufizohen në 800,000 ushtarë, megjithëse disa diplomatë thanë se Rusia po kërkon një kufi më të ulët, të cilin amerikanët duket se janë të gatshëm ta diskutojnë.
SHBA-të do të ofrojnë mbështetje të inteligjencës dhe të tjera, ndërsa paketa do të ratifikohet nga Senati i SHBA-së. Sipas dy burimeve, plani i Uashingtonit përfshin gjithashtu patrullime ajrore të mbështetura nga SHBA-të mbi Ukrainë.
Zelensky u shfaq i kujdesshëm të enjten, duke thënë: “Ka një pyetje për të cilën ende nuk mund të marr përgjigje: çfarë do të bëjnë saktësisht këto garanci sigurie?”
Megjithatë, mbetet shumë e pasigurt nëse Putini do t’i pranojë garanci të tilla, pasi ai ka refuzuar vazhdimisht vendosjen e trupave të huaja në Ukrainë.
Rusia këmbëngul në pretendimet e saj territoriale
Putini nuk ofroi asnjë lëshim thelbësor, megjithëse deklaroi në konferencën e tij vjetore për shtyp se ishte gati të diskutonte paqen. Ai argumentoi se kushtet e tij duheshin pranuar, pasi forcat ruse kanë përparuar 6,000 kilometra katrorë këtë vit.
Është e paqartë se si kanë reaguar zyrtarët amerikanë ndaj kërkesave të Putinit. Witkov më parë ka sugjeruar se Rusia ka të drejtë të pretendojë katër rajonet dhe Krimenë.
Disa zyrtarë të administratës Trump kanë pranuar se Putini mund të mos jetë i gatshëm të pranojë asgjë më pak se qëllimi i tij fillestar, që është pushtimi i Ukrainës.
“Nuk e di nëse Putini dëshiron të bëjë një marrëveshje apo nëse dëshiron të marrë kontrollin e të gjithë vendit. Këto janë gjëra që ai i ka thënë hapur”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në një konferencë për shtyp të premten.
“Ne e dimë se çfarë kërkuan fillimisht kur filloi lufta. Ata nuk i kanë arritur këto qëllime”, shtoi ai.









