Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj projektligjit të qeverisë për kontrollin e investimeve të huaja, duke e cilësuar atë si një nismë të pamjaftueshme dhe të vonuar.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Tabaku shprehu shqetësimin se ky ligj nuk garanton një filtrat të mjaftueshëm për sigurimin e interesave kombëtare dhe standardeve europiane, duke theksuar se investimet e huaja, veçanërisht ato nga sektorë të ndjeshëm, mund të përbëjnë një rrezik nëse nuk shqyrtohen me rigorozitet.
“Djalli fshihet gjithmonë në detaje. Ky ligj i propozuar nga qeveria është i mangët dhe nuk garanton sigurinë kombëtare. Ai nuk ofron një mekanizëm të besueshëm për verifikimin e investitorëve dhe lë jashtë sektorë kyç për sigurinë e vendit. Pa një analizë të thelluar dhe të pavarur, askush nuk mund të sigurojë se investimet do të jenë të sigurta për interesat tona kombëtare,” u shpreh Tabaku, duke shtuar se ky ligj mund të dëmtojë rëndë sigurinë kombëtare dhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë.









