Presidenca franceze të dielën, më 21 janar, përshëndeti faktin që Presidenti rus Vladimir Putin ishte i gatshëm të fliste me Emmanuel Macron, pasi udhëheqësi francez tha se Evropa duhet t’i drejtohet përsëri Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Është mirëpritur që Kremlini ka rënë dakord publikisht me këtë qasje. Ne do të vendosim në ditët në vijim për mënyrën më të mirë për të vazhduar”, tha Elizeja.
Megjithatë, presidenca franceze theksoi se çdo diskutim me Moskën do të zhvillohej “me transparencë të plotë” me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatët evropianë, dhe se qëllimi i saj mbetet të sigurojë një “paqe të fortë dhe të qëndrueshme” për Ukrainën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putin kishte “shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në dialog” me homologun e tij francez në një intervistë të botuar të dielën nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti.
Më herët gjatë javës, Macron tha se besonte që Evropa duhet t’i drejtohet përsëri Putinit, në vend që t’i lërë Shtetet e Bashkuara të marrin vetëm udhëheqjen në negociatat për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, i cili filloi me pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë në vitin 2022.
“Pushtimi i Ukrainës dhe kokëfortësia e Presidentit Putin i dhanë fund çdo mundësie për dialog” gjatë tre viteve të fundit, tha Eliéee. Megjithatë, shtoi ajo, “Sapo të bëhet më e qartë perspektiva e një armëpushimi dhe negociatave për paqe, bëhet përsëri e dobishme të bisedohet me Putinin.”
Shtetet e Bashkuara po presin negociata të mëtejshme që synojnë t’i japin fund konfliktit këtë fundjavë në Florida. Bisedimet ndërmjetësohen nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, me të dërguarit ukrainas dhe evropianë nga njëra anë, dhe të dërguarin rus Kirill Dmitriev, i cili mbërriti të shtunën, nga ana tjetër.
Zelensky kishte thënë se Uashingtoni kishte diskutuar një format trepalësh, i cili do të shënonte negociatat e para ballë për ballë midis Moskës dhe Kievit në gjysmë viti, por Kremlini të dielën mohoi se bisedimet trepalëshe midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara ishin në plan.









