-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes

Kryesoret

Veprimtarë kombëtarë, përfaqësues të komunitetit çam dhe intelektualë të njohur nga Tirana dhe Durrësi, deputetë, shkrimtarë e gazetarë, u mblodhën më 22 dhjetor 2025, në ambientet e Hotel Internacional, për të nderuar veprën dhe mesazhet e shkrimtarit Bilal Xhaferi, një talent i lindur, i konsideruar si uragan letrar i cili, me veprat e tij, kapërceu  dhe e sfidoi kohën. Gjatë këtij takimi u promovua edhe libri i Prof. Bashkim Kuçukut “ “Bilal Xhaferi-realizëm dhe tragjizëm”, që vjen si një nderim me rastin e 90 vjetorit të lindjes së shkrimtarit.

“Në librin e Profesorit Bashkim Kuçukut, që sapo kemi marrë në duar, tregohet në mënyrë shteruese se përveç përndjekjeve dhe kurtheve që e shoqëruan gjithë jetën, shkrimtari Bilal Xhaferi, me një jetë krijuese dhe intelektuale të pashembullt, u bë alter-egoja e popullit të vet, me anë të një vullneti dhe talenti të pazakonshëm”, tha në hyrje të takimit moderatorja dhe gazetarja Luela Myftari.

Prof. Bashkim Kuçuku paraqiti shkurt përgjithësimet dhe tezat e e kësaj vepre, duke theksuar se vepra e Bilal Xhaferit ka hyrë në vlerat e letërsisë kombëtare. Bilali ishte ndër më të talentuarit e brezit të vet, ishte shkrimtar  me dinjitet të lartë, por regjimi komunist i shkaktoi plagë të rënda, goditje shpirtërore, gati vdekjeprurëse, si goditje rrufeje, që nuk u mbyllën asnjëherë dhe nuk u shëruan kurrë plotësisht. Për ndëshkimin e tij dhanë porosi udhëheqësit kryesorë të regjimit dhe, me kritikën që bëri ndaj romanit “Dasma”, theu një tabu në luftën e klasave. Ajo ngjarje është keqpërdorur, tha më tej profesor Kuçuku, pasi, në të vërtetë, kritika ishte për sistemin dhe erdhi si një kundërshtim për regjimin. Ka qarkulluar hamendja se e keqja i erdhi Bilalit nga I. Kadare, por nuk ka asnjë provë për këtë. Përndjekja e shkrimtarit kish filluar  qysh kur ishte fëmijë dhe vazhdoi gjatë gjithë jetës. Për regjimin armiku kryesor ishte vepra e spikatur e shkrimtarit.

Por Bilali kishte atributet e rezistencave vetëmbrojtëse dhe asnjëherë nuk e ndjeu nevojën e vetëmohimit. Kurrë nuk u shuan në gjoksin e tij flakët e ndezura të talentit  flakërues, vullneti krijues i sprovuar nga përvoja tragjike e jetës.  Bilali ishte në gjendje të përballonte ngarkesa të mëdha. Ai ishte gjithmonë në gjendje të trazuar dhe të shqetësuar. Ishte përherë në gjendje alarmi. Sigurimsat nuk ia dolën asnjëherë ta lëkundnin epërsinë  e hekurt të vullnetit të tij. Kishte një vullnet monumental dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të përballuar vuajtjet.

Është fakt se në vitin 1969 jeta e Bilalit u trondit nga cikloni i fuqishëm komunist dhe jeta e tij u shemb me uturimë .“Ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar. Nuk e tradhëtoj kurrë këtë popull dhe atdheun, edhe pse emigroj larg”, thuhej në letrën e Bilal Xhaferrit, të lënë në postën greke të policisë kufitare, ku u dorëzua pas arratisjes nga Shqipëria, në vitin 1969. Kjo letër ishte një gjest kalorsiak, por edhe ironi dhe njëkohësisht respekt, duke e lënë si dëshmi për të tjerët, që asnjë të mos prekej nga të afërmit e tij, tha profesor Bashkim Kuçuku.

Profesor Uran Butka, pasi përgëzoi fandacionin Çamëria “Hasan Tahsini” dhe drejtuesin Alket Veliu, për mbështetjen e librit dhe për gjithë aktivitetin në shërbim të çështjes çame, mes të tjerash tha: Jam shumë i prekur që sot përurojmë botimin e plotë të jetës dhe aktivitetit letrar të Bilal Xhaferit. E kam njohur Bilalin dhe u befasua shumë kur e ftova në një takim në gjimnazin e Krujës. Por ngjarjet rrodhën shpejt dhe takimi nuk u arrit. Jemi përpjekur për rehabilitimin e figurës së tij dhe sjelljen e eshtrave në atdhe ku, gjatë rivarrimit, kam mbajtur edhe fjalën e rastit.  Në vijim e mori fjalën skulptori i njohur Idriz Balani, i cili ka realizuar shtatoren e Bilalit, e cila është vendosur në shëtitoren e Sarandës, në krah të kryerilindasit Hasan Tahsini.

Viti 2025 ka qenë viti i aktiviteteve shumë serioze për fondacionin Çamëria Hasan Tahsini, tha shkrimtari Enver Kushi. Prof. Bashkim Kuçuku ka bërë një nga punët më të vyera me këtë vepër. Romanin “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” e kam lexuar qysh fëmijë 16 vjeç  dhe e ruaja si një libër të shenjtë. Në vitin 2010 u botuan 5 vëllime të veprës së Bilal Xhaferit. Në vitin 2022 u realizua edhe një film dokumentar me titull “Qëndrestar në përndjekje”, mundësuar nga fondacioni Çamëria, sipas idesë së Uran Butkës, me skenar të Bashkim Kuçukut dhe regji të Admirina Peçit. Filmi përmban dosjen e plotë të përndjekjes së shkrimtarit nga sigurimi i shtetit. Përndjekje që, po t’i lexonte Albert Kamy, do bënte një roman të çuditshëm. Me sytë  e tij të zgjuar dhe plot dritë, siç e përshkruante shkrimtari Vath Koreshi, Bilali shihte përtej viteve, megjithëse mekanizmi i diktaturës u përpoq ta mposhtëte këtë krenari, tha Enver Kushi.

Anila Mullahi, pedagoge pranë fakultetit Histori Filologji, foli për përpjekjet e saj për ta futur veprën e Bilal Xhaferit në tekstet shkollore. Shkrimtarët duhet t’i njohin brezat e rinj, tha profesore Mullahi, duke u ndalur në prozën historike të B. Xhaferit, e cila erdhi në formën e tregimit, novelës dhe romanit.

Mbesa e shkrimtarit Bilal Xhaferi, Afërdita Murtaj, duke falenderuar fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, drejtuesin e tij Alket Veliu, si dhe profesorët Bashkim Kuçuku e Uran Butka, tha se vepra e Bilalit mbetet një trashëgimi e vyer për brezat.

Në mbyllje të aktivitetit, drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, sponsor i librit “Bilal Xhaferi – realizëm dhe tragjizëm”, zoti Alket Veliu, falenderoi prof. Bashkim Kuçukun për këtë prurje unike dhe për gjith veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme atdhetare për Shoqatën dhe gazetën Çamëria, si kryeredaktor i parë i saj.

Edhe pse vepra e Bilal Xhaferit mbeti e papërfunduar, ajo ngrihet përherë e më mrekullisht drejt një horizonti pa kohë, tha zoti Veliu. Artikujt e tij për çështjen kombëtare, për Kosovën e Çamërinë, shkumëzonin me ritme të fuqishme dhe me ligjërim të shndritshëm.

Në mbyllje, zoti Veliu falenderoi gjithë akademikët, profesorët dhe veprimtarët e thjeshtë, që kanë kontribuar në aktivitetet e fondacionit gjatë këtij viti dhe uroi gjith miqtë dhe mbështetësit e fondacionit me rastin e festave të fundvitit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit