Misteri po mbështjell vdekjen e 67-vjeçarit Hysni Imeri i cili ndërroi jetë pas një shpërthimi të ndodhur në hyrje të pallatit të tij në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër.
Ka qenë ora 10:10 kur ka shpërthyer paneli i matësave të energjisë elektrike.
Në njoftimin paraprak policia tha se kishim të bënim me shpërthimin e një paneli i matësave të energjisë elektrike dhe i plagosur kishte mbetur një punonjës i OSHEE-së.
Por një orë më pas OSHEE rrëzoi versionin e policisë.
“Në lidhje me ngjarjen në Shkodër, sipas informacioneve paraprake, informojmë se shpërthimi nuk ka ndodhur për shkak të boksit të matëseve në pallat“, thotë OSHEE.
Njësia anti-eksploziv ndodhet në vendin e krimit dhe po merr provat e nevojshme për hetimin ndërsa do të sekuestrohen dhe pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth që mund të kenë filmuar momentin e krimit por dhe më shumë.
Viktima nuk rezulton person problematik për ligjin ndërsa jetonte në një nga apartamentet e pallatit së bashku me bashkëshorten e tij.
Por në momentin e shpërthimit gruaja nuk ka qenë në banesë pasi ishte shtruar në spital.
Dyshimet se kemi të bëjmë me një shpërthim me lëndë plasëse lidhet me faktin se dëmet kanë qenë të mëdha./Syri.net









