Përmbushja e misionit fisnik e kombëtar nga bilbili i këngës kërçovare, z. Bexhet Jagodini: Si po mbrohet identiteti i Kërçovës përmes shkencës dhe këngës
Me Bexhetin njiheshim nga larg, por nuk kishim ndenjur kurrë bashkë. U takuam rastësisht në maj të vitit 2024 në Kërçovë dhe pimë nga një kafe bashkë.
Pasi shkëmbyem ca fjalë kurtuazie të zakonshme, Bexheti ma hapi bisedën për projektin e tij mbi këngën burimore kërçovare, të cilin tashmë kishte kohë që e kishte ideuar dhe i ishte rrekur përpilimit të tij. Megjithatë, nga mënyra e të shprehurit të tij, sikur ishte në mëdyshje, nëse do t’ia arrinte qëllimit të krijonte një vepër për të qenë sa i përket ftillimit dhe trajtimit të këngës burimore dhe folklorit kërçovar në përgjithësi. Dhe, të jem i sinqertë, mëdyshja e tij ishte e arsyeshme, sepse vërtet është një punë tepër e vështirë t’i rrekesh hulumtimit të këngës kërçovare, që për mua paraqet thesarin më të çmueshëm të korpusit mbarëkombëtar muzikor dhe në fund ta ngjizësh atë në një formë të përkryer shkencore.
Pasi ai ma sqaroi në pika të shkurtra idenë dhe punën e tij të deriatëhershme, i thashë me bindjen e plotë, se kjo ishte një punë tepër finsnike, që duhej ta vazhdonte dhe u morëm vesh, që të ma dërgonte përmes emailit dhe vetëm atëherë do të mund t’i jepja një mendim përfundimtar, nëse duhej të vazhdonte deri në botimin e një teksti përfundimtar.
Dhe, sapo e mbarova së lexuari, i telefonova, duke e uruar për punën e tij kolosale dhe e inkurajova të vazhdonte me hartimin e tekstit dhe se unë do të isha aty për të, sa herë që t’i duhej ndihmesa ime, duke ia potencuar se e bashkëndieja këtë projekt, sepse askush deri më sot nuk është marrë me hulumtimin e këngës burimore kërçovare në tërësinë e saj nga prizmi hulumtues-shkencor normativ, por edhe metodologjik-didaktik.
Ndoshta dhe dikush nga lexuesit, që nuk më njeh mua sa duhet, mund të thotë se ç’ne ky, që me profesion është gjuhëtar, të japë një vlerësim për këngën burimore kërçovare?
Megjithatë, gjuha dhe folklori janë pjesë të pandashme, për më tepër, kur unë gjatë gjithë jetës sime akademike jam marrë në mënyrë intensive me etnogjenezën e gjuhës shqipe dhe, nga ajo sa kam hulumtuar për rreth 3 dekada, tashmë jam i bindur se gjuha shqipe është njëra ndër gjuhët më të vjetra në familjen e madhe të gjuhëve indo-evropiane dhe se pikërisht shtrirja e studimeve në këngët burimore të trevave tona, sidomos në këngën burimore kërçovare, do të përafrojë edhe më tepër konstatimin shkencor për lashtësinë e gjuhës shqipe, të cilat përmbajnë vërtet fjalë shumë të vjetra dhe autoktone, që me metodën e rikonstruimit gjuhësor do të paraqesin dëshmi të pakontestueshme shtesë për etnogjenezën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe.
Dua të them se në njëfarë forme mua dhe Bexhetit na u prenë rrugët me këtë rast në qëllimin e përbashkët hulumtues-shkencor, ai për të ftilluar, trajtuar dhe dokumentuar këngën burimore kërçovare si perlën e vërtetë të korpusit mbarëkombëtar shqiptar, kurse unë të shtrij hulumtimet e mia në fushën e etnogjenezës së gjuhës shqipe.
Libri në fjalë është i konceptuar në atë mënyrë, që të jetë i kapshëm jo vetëm për specialistët e folklorit, por, me tiparin informues që bart në vete, ai është i kapshëm edhe për publikun e gjerë. Bexheti ka përdorur një metodologji të dendur dhe të gërshetuar me kujdes, duke ngërthyer në libër si qasjen diakronike ashtu edhe atë sinkronike, teoretikisht e ka mbështetur mirë, duke u bazuar në autorë dhe hulumtues eminentë të folklorit kërçovar, kurse, sa i përket pjesës empirike, lirisht mund të pohohet se ajo është shtjelluar deri në përsosmëri, duke përmbledhur intervista dhe bashkëbisedime me kolosët e këngës burimore kërçovare si Xha Lati, Meti Spahiu nga Cërvica, etj, për të vazhduar me kujdes më tej në sjelljen e një korpusi të të gjitha këngëve të mbledhura burimore kërçovare, të cilat Bexheti ka filluar ta ndërtojë qysh në rininë e tij të hershme.
Të veçantë e bën këtë libër edhe portali, ta quaj kështu, i këngëtarëve kërçovarë nga fillesat e saj të hershme e deri më sot, duke përfshirë emra këngëtarësh që vërtet meritojnë respekt.
Librin nga autori Bexhet Jagodini me titull: Kënga që flet me rrënjë: Kërçova në zemrën e folklorit shqiptar, do të ishte pak ta emërtoja një monografi të këngës burimore kërçovare. Me plot bindjen po e them se ai në vete është ENCIKLOPEDI E KËNGËS BURIMORE KËRÇOVARE.
Bexheti shkencërisht e dëshmon se kënga kërçovare është unike në formën e saj të krijimit dhe interpretimit, duke relativizuar tezën se kënga kërçovare qëndron midis gegërishtesh dhe toskërishtes, siç pretendojnë pjesa dërrmuese e studiuesve të folklorit shqiptar, duke rënë në grackën e shtrirjesh gjeografike të rajonit të Kërçovës dhe ai shkencërit e dëshmon se kënga kërçovare është një mjaltëzim trifonik (trezërësh), që interpretohet nga zëri kryesor i mjaltëzuar deri në hyjnor dhe që rrallë gjendet në këngët e ndonjë rajoni tjetër dhe nga dy zërat e tjerë mbajtës, duke krijuar kësisoj një interpretim aq homogjen, të përkryer vokalistik dhe në harmoni të plotë me shoqërimin instrumental.
Bexheti, me të drejtë në libër ngre alarmin për ruajtjen dhe konservimin e këngës sonë perlë nga ana e institucioneve shtetërore mbarëkombëtare, sepse në një shtet të mirëqenë, kënga burimore kërçovare sot do të ishte në nivelin e flamengos spanjolle apo shansonave franceze.
Me këtë rast unë do të pohoja, se në këngët e mbledhura burimore kërçovare dhe të sjella në këtë libër në formën e plotë të një thesari të çmuar kombëtar, përmbajnë edhe shumë fjalë të vjetra dhe autoktone shqipe, që në të ardhmen unë do t’i shtjelloj në formën e një punimi shkencor, ashtu siç bëj për dekada me radhë me promovimin e gjuhës shqipe ndërkombëtarisht, duke ua ofruar studiuesve anglisht- dhe gjermanishtfolës.
Me këtë rast, marr të drejtën, që të falënderoj të gjithë donatorët, kryesisht atdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA për ndihmesën financiare të daljes në dritë të këtij libri me aq vlerë të madhe për Kërçovën dhe më gjerë dhe të gjitha ata, që do të shprehin gatishmërinë e tyre për të kontribuar shtesë në vazhdim.









