Policia e Tiranës njofton masat e sigurisë që do të merren për shmangien e incidenteve për natën e ndërrimit të viteve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve me rastin e ndërrimit të viteve, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në bazë dhe për zbatim të planit të posaçëm të masave, të hartuar me të njëjtin objektiv, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka ndërmarrë një sërë masash konkrete në të gjithë territorin e kryeqytetit.
Masat konsistojnë në:
-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale, në të gjitha zonat urbane, me fokus të veçantë në zonat me fluks qytetarësh, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike;
-vendosjen e pikave fikse të kontrollit në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe shtimin e patrullimeve të lëvizshme, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë;
-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, nëpërmjet kontrolleve të shtuara, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore;
-kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë/shesin lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe/ose kapsolla), për parandalimin e rreziqeve dhe ngjarjeve aksidentale;
-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë, në sheshe publike, shëtitore, pedonale, objekte kulti, në ambiente argëtimi (bare, restorante, lokale nate) dhe në qendra tregtare, me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve;
-bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Theksojmë se punonjësit e Policisë do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë menjëherë, në çdo rast nevoje. Kërkoni ndihmë dhe denonconi paligjshmëritë që hasni, pranë çdo patrulle fizike, njesie policie ose në numrat pa pagesë 129 dhe 112!
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për të garantuar një ambient të sigurt për qytetarët, gjatë gjithë ditëve të festimeve me rastin e ndërrimit të viteve.









