Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar zëvendës-presidenten, e cila është aktualisht presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodriguez, që të mos sfidojë SHBA-të.
“Nëse ajo nuk bën atë që është e drejtë, do të paguajë një çmim shumë të lartë, ndoshta më të madh se Maduro”, tha presidenti amerikan për ‘The Atlantic’, në një intervistë telefonike këtë mëngjes sipas kohës amerikane.
Trump tha se SHBA-të do të “drejtonin” Venezuelën pas kapjes së Nicolas Maduros, deri në një tranzicion të sigurt të pushtetit.
Ai tha po ashtu se Rodriguez ishte “e gatshme të bënte atë që ne mendojmë se është e nevojshme”, në një kontrast të dukshëm me fjalimin sfidues që ajo mbajti ditën e sotme.
“E dini, rindërtimi atje dhe ndryshimi i regjimit, sido që të doni ta quani, është më mirë se ajo që keni tani. Nuk mund të bëhet më keq”, tha Trump.









