Kancelari Friedrich Merz e përshkruan situatën në sektorët e ekonomisë gjermane si “shumë kritike” dhe thekson rimëkëmbjen ekonomike si përparësinë kryesore të qeverisë së tij për vitin e ri.
Në një letër katërfaqëshe drejtuar deputetëve nga Bashkimi Kristian Demokrat (CDU/CSU) dhe Partia Social Demokrate (SPD), Merz përshkruan prioritetet e tij për vitin 2026 dhe pranon se vendimet e marra deri më tani nuk e kanë përmirësuar mjaftueshëm konkurrueshmërinë e ekonomisë, ndërsa pranon se “situata në disa fusha është shumë kritike “.
Sipas Kancelarit, theksi këtë vit do të jetë në marrjen e vendimeve të duhura politike për të përmirësuar rrënjësisht mjedisin e biznesit.
Në letrën e tij, Friedrich Merz thekson gjithashtu se kostot e punës dhe energjisë, barrat burokratike dhe tatimore mbeten shumë të larta. “Zgjidhja e këtyre problemeve do të forcojë besimin në politikë dhe kohezionin social”, thekson ai.
Kancelari përsërit gjithashtu angazhimin e tij për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, si dhe për përpjekjet për një armëpushim, i cili, megjithatë, do të ruajë sovranitetin e Ukrainës. Në fund të letrës katërfaqëshe, Kancelari u uron deputetëve “Forcë të mbarë” për punën që kanë përpara.









