Tritan Shehu, në një postim të tij në Facebook, ka denoncuar situatën alarmante në Gjirokastër, ku përmbytjet kanë bllokuar qytetin dhe rrethinat.
Ai thekson se qytetarët janë në rrezik, ndërkohë që infrastruktura e qytetit dhe rajoni janë lënë pas dore. Shehu kërkon veprime urgjente nga autoritetet për stabilizimin e situatës dhe mbrojtjen e banorëve.
“Aktualisht Gjirokastra është e izoluar dhe e bllokuar, banorët janë në rrezik. Liqeni i Viroit ka bllokuar rrugën nacionale. Qyteti është nën ujrat e fuqishme që vijnë nga Perroi i Cullës, i Ficos dhe të tjera nga lart. Sasi të mëdha ujrash vijnë edhe nga Pazari. 18 Shtatori është mbushur me ujë dhe materiale inerte që janë sjellë poshtë nga lagja Granicë. Rrugët janë të bllokuara. Zona të tëra në qytet, në Lazarat, Dropull, Memaliaj, Këlcyre etj., janë në errësirë të plotë, si gjithmonë pas shiut apo erës. Këto janë fatkeqësi të paralajmëruara dhe të përsëritura. Por nuk ka pasur asnjë përgjigje me investime për këtë Bashki dhe Qark. Çdo gjë është lënë në mëshirë të fatit dhe të shpërthimeve të natyrës. I bëj thirrje strukturave shtetërore përgjegjëse, lokale dhe qendrore, të veprojnë me shpejtësi për të stabilizuar këtë gjendje të vështirë.”









