Një anije me flamur të Tanzanisë, M/V “BESART”, mbetet e bllokuar pranë bregut të Tales, në Lezhë, pas ndikimit të dallgëve të forta që kanë përfshirë Detin Adriatik ditën e djeshme.
Anija, që ka 6 persona në bord, ishte fillimisht e ndaluar në zonën e Kepit të Rodonit, por për shkak të kushteve të këqija të motit dhe mosmbajtjes së spirancës, ajo ka devijuar dhe është drejtuar në bregdetin e Lezhës.
Pasi ka kaluar fillimisht në drejtim të Kunës, anija është zhvendosur në afërsi të Tale 2, ku përfundoi shumë pranë vijës bregdetare, duke mbetur e bllokuar.
Situata është bërë më e vështirë për shkak të dallgëzimit ende të lartë dhe përmasave të mëdha të anijes, të cilat e bëjnë të komplikuar çdo mundësi për tërheqje.









