Florian Binaj, aktor dhe aktivist, mbajti një fjalim të shkurtër në tryezën e organizuar nga Partia Demokratike, ku kërkoi bashkim dhe bashkëpunim mes partive opozitare.
Ai theksoi se gjatë viteve të fundit, është humbur shumë kohë duke u fokusuar tek dallimet mes aktorëve politikë, duke lënë mënjanë mundësinë e bashkimit për të arritur ndryshimin që kërkohet nga shoqëria.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, kemi harxhuar shumë kohë duke parë nga njëri-tjetri, jo ku ngjajmë, por ku dallojmë. Në këtë kohë që ka ardhur, mendoj se gjëja më e rëndësishme për të bërë është që për ta pranuar njëri-tjetrin ashtu siç jemi, të ndryshëm, dhe të mos presim nga njëri-tjetri që ‘unë do bashkëpunoj me ty po more ti formën time ose unë formën tënde, e të tjera’. Jemi marrë mjaftueshëm nëpër këmbë, jemi sharë mjaftueshëm nëpër gojë, jemi marrë mjaftueshëm nëpërsysh, tani o duhet të merremi vesh, ose nuk duhet të qahemi pastaj nëse do na marrin më qafë.”









