Në 24 orët e fundit, reshjet e shiut kanë shkaktuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa akse rrugore në qarkun e Kukësit, duke vështirësuar qarkullimin.
Reshjet kanë intensifikuar situatën, veçanërisht në zonat malore, ku është regjistruar dhe dëborë në lartësi mbi 1100 metra.
Një ndër segmentet më problematike ka qenë rruga Dushaj-Lekbibaj në Tropojë, ku ka ndodhur një rrëshqitje masive shkëmbore.
Megjithatë, aksesi është i kalueshëm dhe puna për pastrimin e masivëve vazhdon.
Në të gjitha akset rrugore nacionale të Kukësit, qarkullimi vazhdon, ndërkohë që furnizimi me energji elektrike është normal.
Prefektura kërkon nga drejtuesit e mjeteve që të kenë kujdes dhe të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë në zonat malore për shkak të lagështirës dhe dëborës.
/5pyetjet.al









