E ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se aty do të bëhet kulla, Policia e Tiranës njoftoi se zjarri që shkatërroi mbi 100 magazina në tregun e ish-Uzinës Dinamo ishte aksidental. Sipas saj, zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike, aksidentale.
“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka pasur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, tha policia.
Dy kapanonet e djegura përfshijnë mbi 100 magazina, me një sipërfaqe totale prej 11 mijë metrash katrorë, ku tashmë kanë mbetur vetëm mbetjet e strukturave të shkatërruara.









